Aktivistja dhe viktima e dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman ka njoftuar se është rikthyer në shtëpinë ku, si 16-vjeçare kishte përjetuar dhunë seksuale.
Në një rrëfim të ndarë publikisht, ajo tregon se vizita në atë vend pas shumë vitesh ishte një përballje e vështirë emocionale.
Edhe pse shtëpia ende ekziston, ajo thotë se nuk arriti të hyjë brenda ku ndodhi krimi.
“Sot u afrova deri aty. Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, në dhomën ku mbetën të varrosura britmat, frika dhe pafuqia e një vajze të re. Nuk munda. Në oborr ishte dikush duke punuar. Qëndrova jashtë dhe bëra vetëm një fotografi”- ka shkruar Krasniqi Goodman.
Sipas saj, vizita nuk kishte për qëllim kërkimin e mëshirës, por një përballje me të kaluarën dhe faktin se vendi fizikisht ende ekziston, ndërsa ajo vazhdon të jetojë me pasojat e asaj që ka ndodhur aty.
“Sot nuk shkova aty për të kërkuar mëshirë. Shkova sepse, pas kaq shumë vitesh, doja ta shihja me sytë e mi se ai vend ende ekziston, ndërsa unë ende po jetoj me atë që ndodhi brenda tij. Dhe sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer”- ka përfunduar Krasniqi Goodman.