“AgroFesta”, festivali i sivjetshëm prezantoi edhe njëherë punën e heroinave të Krushës.
Protagoniste është Nora Boshnjaku, e cila sfidoi meshkujt në garën më të spikatur “Chilli Zone”, për të ngrënë speca djegës.
“Ne sapo e patëm një aktivitet. Është gara e ngrënies së specave djegës. Gara ka shkuar mirë, e unë i fitova këta…”, ka treguar ajo.
Festivali tradicional i perimekulturës për synim ka promovimin e produkteve bujqësore të fshatit.
Ndonëse festivali pati vizitorë, sipas fermerëve, pandemia e ka ndryshuar numrin e tyre dukshëm, krahasuar me vitet e kaluara.
Kujtim Hoti thotë se pandemia me COVID-19 e ka kufizuar atë në të bërit biznes.
Në panair, ka dalë qysh nga mëngjesi për t’i promovuar produktet vendore bujqësore të Krushës së Madhe edhe Anjeza Duraku, e cila foli për këto produkte.
“Unë këtu kam ardhur të prezantoj produktet tona që i prodhojmë dhe i konservojmë nëpër kavanoza. Prodhimet tona janë turshitë dhe ajvari. Ne kemi dalë që të ju tregojmë vizitorëve për produktet tona, t’i shohin nga afër edhe t’i shijojnë ato. Krahasim me vitet e tjera, kemi pasë më pak blerës”, është shprehur ajo.
Ndër të tjera produkte Duraku prezanton sallatën krushjane që, sipas saj, është unike në vend.
“Sallata krushjane ka përzierje lulelakër, karrot, dhe spec është diçka që e ka vetëm firma jonë. Përveç kësaj sallate, e kemi edhe ajvarin si veçanti ka përbërjen me spec të pjekur dhe të papjekur”.
Ndërsa, Arbër Zenuni tregon për vështirësitë që ka pasur ky festival në fillimet e tij.
“Po zhvillohet edicioni i 7-të, që është 3 ditë rresht. Dita parë ka qenë hapja e panairit, ekspozimi i produkteve bujqësore. Sot kemi vizitorë të ndryshëm që janë të interesuar për produktet vendore. Pjesa e panairit ka pasur vështirësi në fillim, por me përkrahjen e Komunës së Rahovecit është arritur një sukses”, ka thënë Zenuni.
Si mysafir special i festivalit në “AgroFesta” ishte edhe Ardian Qitozi që merret me produkte bujqësore nga Shqipëria.
“Unë merrem me produkte bujqësore dhe dëgjova për këtë panair që po zhvillohet këtu në Krushë të Madhe dhe me qenë se e kam për zemër punën e bujqësisë vendosa që të vij, të njihem me fermerët e zonës, me produktet, sepse ne do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin me qëllim të rrisim eksportin në vendin tonë”, ka deklaruar ai.
Organizatorët thonë se me gjithë pandeminë festivali është pritur mirë si nga qytetarët, po ashtu edhe nga fermerët e zonës.
“Ideja ka qenë e kamotshme, për herë të parë si ide e kam marrë në Francë më 2014, bashkë me shokët e tjerë dhe e kemi zhvilluar më tutje. Duke i parë nevojat, si aktivitet kemi kërkuar që kjo t’i kalojë instancat e pjesës që ne si fshat mund ta bëjmë vetë dhe i kemi kërkuar Komunës që ta marrë nën patronat, jemi shumë të kënaqur nga Komuna. Shpresoj që kjo ngjarje të rritet dhe të bëhet një festival kryesor në argokulturë në përgjithësi. Tani në këtë vit, për shkak të pandemisë, ka më pak lëvizje, por prapë ka interesim. Falënderojmë të gjithë ata që kanë pasur kohë që t’i promovojnë këto produkte dhe ata që i mbështesin këta fermerë. Produktet janë të shëndetshme”, ka thënë Salami Hoti, koordinator nga “AgroFesta”.
“‘AgroFesta’ është duke shkuar në një rrugë të mirë. Ekspozohen produktet, pjekja e ajvarit në mënyrë tradicionale, turshitë tradicionale, lojërat më atraktive, garat në shpejtësinë e ngrënies së specave djegës dhe kush i mbush specat e djegës. Krusha përpos që i ka të gjitha të mirat, ky festival duhet të hyjë në mbrojtje të komunës dhe të jetë një festival që sa është unik, origjinal dhe e ka produktin e vet, festivali do të jetojë gjithmonë”.
Dy grupe me nga pesë anëtarë (peshk-kapës dhe peshk-mbajtës) në garën rekreative “Kapja e peshkut me dorë” përmbyllën edicionin e shtatë të festivalit “AgroFesta” për vitin 2021.
Sipas organizatorëve, festivali do të trashëgohet brez pas brezi dhe kërkojnë nga Komuna që të shpallet si trashëgimi e mbrojtur.