LAJME

Universiteti “Ukshin Hoti” hap sot edicionin e pestë të Shkollës Verore Ndërkombëtare, me fokus inteligjencën artificiale, biznesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Universiteti “Ukshin Hoti” hap sot edicionin e pestë të Shkollës Verore Ndërkombëtare, me fokus inteligjencën artificiale, biznesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Gusht 2026, 11:28

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren do të hapë sot zyrtarisht edicionin e pestë të Shkollës Verore Ndërkombëtare 2026, një ngjarje akademike që do të mbledhë studentë, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës.

Ceremonia solemne e hapjes do të mbahet më 5 gusht, duke filluar nga ora 18:00, në kampusin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, ndërsa aktivitetet e shkollës verore do të zhvillohen deri më 14 gusht.

Edicioni i sivjetmë sjell një program të pasur akademik, i fokusuar në disa prej temave më aktuale të kohës. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin module që trajtojnë sfidat ligjore të inteligjencës artificiale, “deepfake”-ut dhe dezinformimit, inteligjencën artificiale me qendër te njeriu dhe teknologjitë digjitale në zhvillim, transformimin digjital dhe modelet e reja të biznesit, produktet e gjelbra dhe sjelljen e qëndrueshme të konsumatorit, përkthimin dhe narrativat kulturore, si dhe kulturat e të nxënit të së ardhmes.

Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe aktiviteteve ndërvepruese, organizatorët synojnë të krijojnë një platformë për shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin profesional të pjesëmarrësve.

Shkolla Verore Ndërkombëtare organizohet nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe pritet të mirëpresë pjesëmarrës vendorë e ndërkombëtarë, duke promovuar Prizrenin si një qendër të rëndësishme të bashkëpunimit akademik dhe shkencor gjatë sezonit veror.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika