Përderisa jeni duke shëtitur në qendrën e qytetit të Prizrenit, këto ditë krejt rastësisht keni pasur rastin të shihni po këtë qytet të minimizuar në pikturat e Besim Danjollit përmes të cilave secili mund të bëjë një “udhëtim” në Prizrenin e viteve 50-ta, shkruan KultPlus.
Pikturat të cilat po ekspozoheshin në qendër të qytetit, tërhoqën edhe vëmendjen time, ku e mrekulluar nga ngjyrat e bukuria e tyre, u ndala për t’i soditur nga afër. Por fati tjetër ishte prezenca e piktorit i cili pa hezitim, teksa unë po tregoja interesimin tim për një intervistë së bashku, nisi të më rrëfej për secilën pikturë e historinë që fshihet pas saj.
Qyteti i këtyre pikturave na shpaloste objekte kulturo-historike pa të cilat Prizreni po rrezikon të mbetet dita ditës. Pikërisht këto shkatërrime e ndryshime të qytetit, e kanë shtyrë artistin që përmes pikturës ta ruajë të freskët çdo cep të Prizrenit të vjetër dhe vetë trashëgimin e qytetit, që dikur kishte një qetësi të thellë shpirtërore.
Me ngjyra të ndezura e një freski të jashtëzakonshme, Danjolli na shpalos rrëfime për secilën lagje të vjetër e për jetën e asaj kohe për të cilën ka jo pak nostalgji.
Siç na tregoi vetë piktori, takimi i tij i parë me artin e pikturës ndodhi qysh në klasë të tretë në fillore ku bashkë me nënën e tij arriti të realizojë katër “deneze” me lule e nga ku Danjolli mbeti i mahnitur nga ngjyrat e ndezura e kontrastet të cilat duket se i ka trashëguar nga e ëma. Por, ishte mosha 5 vjeçare kur Danjolli realizoi portretin e shokut të tij dhe udhëtimi në botën e artit vazhdoi rrjedhimisht.
Ky pasion që me kohë u shndërrua në profesion, e bëri piktorin që në letrën e bardhë të vendosë qytete të ndryshme, portrete e gjithçka tjetër që linte mbresë te ai. Por vendlindjen, krejt pavëmendshëm ai kishte harruar ta ngjyrosë me brushën e tij. Një vërejtje nga shoku i tij për këtë “moskujdes” e ngacmoi mendjen dhe shpirtin e Danjollit i cili iu kthye rrënjëve për ta jetësuar vendlindjen në mënyrën më të mirë, atë të viteve 50-ta.
Ngjyrat e ndezura në pikturat e tij tregojnë për gjallërinë e popullatës dhe jetës në këtë qytet.
“Përmes pikturave mundohem të paraqes një qytet plot gjallëri, plot civilizim e që në emër të zhvillimit urban janë degraduar shumë pjesë të qytetit të cilat kanë pasur dhe ende kanë një vlerë shpirtërore poashtu edhe ekonomike në pikëpamjen e turizmit. E disa nga objektet mund të përtërihen në mënyrë që të plotësohen vlerat e qytetit”, vlerëson Danjolli për KultPlus.