Mediat serbe, duke cituar këshilltaren e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Brnabiq, raportuan sot se presidenti Vuçiq është i sëmurë dhe ka anuluar takimet e sotme me ambasadoren kineze dhe ambasadorin rus në Beograd, por ai i ka demantuar të gjithë. Vuçiq ka takuar sot ambasadoren kineze, e cila ia ka përcjell qëndrimin e shtetit të saj lidhur me çështjen e Kosovës.
Sipas mediave serbe temë kryesore në takimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me ambasadoren e Kinës, Chen Bo, ishte gjendja në veriun e Kosovës.
“Pala kineze i kushton vëmendje të veçantë situatës aktuale të tensionuar në veri të Kosovës dhe beson se veprimi i njëanshëm nuk është në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon. Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i trajtojë të gjitha palët në mënyrë të barabartë, standardi i dyfishtë nuk është në favor të zgjidhjes së problemit. Kina respekton integritetin territorial të Serbisë lidhur me çështjen e ‘Kosovës dhe Metohisë’. I kupton dhe mbështet kërkesat legjitime të Serbisë, përfshirë ato për mbrojtjen e sigurisë dhe të drejtave ligjore të popullit serb në ‘Kosovë dhe Metohi’, duke shpresuar se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani do të respektohen”, tha ambasadorja Chen, duke përcjellur qëndrimin zyrtar të palës kineze, transmeton Telegrafi.





