A po shndërrohet Trumpi luftarak në Trumpin pajtues? Ai gjithmonë ka qenë më shumë një krijues marrëveshjesh sesa një ideolog.
Nga: Jim Antle / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Fjalimi i fitores së Donald Trumpit pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 ishte goxha në stilin e tij të zakonshëm, me plot shmangie të papritura, anekdota, mburrje dhe britma. Megjithatë, një gjë që mungonte në masë të konsiderueshme ishte sulmi ndaj rivalëve të tij.
Më pas erdhën disa deklarata të mërzitshme dhe të zakonshme për shtyp lidhur me kundërshtarët e tij demokratë, të cilat u shpërndanë të nesërmen në emër të Steven Cheungut, një prej zëdhënësve të tij më bombastikë.
“Presidenti Donald J. Trump dhe nënpresidentja Kamala Harris folën në telefon sot, ku ajo e përgëzoi për fitoren historike”, tha Cheung lidhur me telefonatën ku Harris pranoi humbjen. “Presidenti Trump vlerësoi nënpresidenten Harris për forcën, profesionalizmin dhe këmbënguljen e saj gjatë fushatës, dhe të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e unifikimit të vendit”.
Më pas erdhi një telefonatë nga zyrtari aktual i Zyrës Ovale. “Presidenti Joe Biden telefonoi presidentin Donald J. Trump për ta përgëzuar për fitoren dhe e ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të siguruar një tranzicion të qetë midis administratës aktuale dhe asaj të re”, tha Cheung. “Presidenti Trump mezi pret takimin, i cili do të zhvillohet së shpejti, dhe e vlerësoi shumë këtë telefonatë”.
Vini re se kjo nuk është mënyra se si Trumpi u mor me Bidenin dhe Harrisin pas zgjedhjeve të vitit 2020 apo në prag të largimit të tij nga detyra. Pala që largohet po shfaq një nivel të caktuar shpirtmadhësie në këtë humbje, pikërisht për t’ia bërë këtë atij me dije. Por, çka nëse edhe Trumpi po bën me dije diçka?
Kur Trumpi mori pjesë në Darkën e Al Smithit në Nju-Jork (të cilën fatkeqësisht Harrisi e shmangu dhe u shfaq përmes një videoje të turpshme), ai ishte ulur pranë liderit të shumicës në Senat, Chuck Schumer. Trumpi qëndroi pranë Schumerit për pjesën më të madhe të mbrëmjes, duke ua kujtuar të gjithëve – kur ai foli – donacionet e tij të mëparshme për Nju-Jorkun demokrat.
Këshilltari i vjetër i Trumpit, Paul Manafort, ish-zyrtar i lartë në fushatën e vitit 2016, i tha gazetarit Mark Halperin se priste që presidenti i dikurshëm dhe i ardhshëm të bashkëpunonte me kundërshtarët nëse do të kishte partnerë të gatshëm në anën tjetër të spektrit politik.
“Mendoj se do të përpiqet të gjejë një pikë të përbashkët. Ai e kupton se ky tani është mandati i tij i trashëgimisë”, ka thënë Manafort. “Mandati i parë ishte një fillim me shpresën se do ta çonte tek i dyti. Por, ky është mandati i tij i fundit … Dhe, ai kujdeset për vendin e tij në histori”.
Sigurisht, të gjithë e mbajmë mend takimin e sjellshëm, edhe pse jo tërësisht të ngrohtë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin në largim, Barack Obama, gjatë asaj periudhe tranzicioni. U duk se kishin varrosur sëpatën e luftës, por gjithçka rezultoi të jetë e përkohshme.
Në të vërtetë, modeli tjetër për mandatin e ardhshëm të Trumpit, për të cilin ai ka lënë të kuptohet dhe të cilin kundërshtarët e tij e presin, është një turne hakmarrjeje. Trumpi tani e kupton më mirë qeverisjen. Ai do të përpiqet të mbushë administratën dhe ekipin e tij në Shtëpinë e Bardhë me bashkëpunëtorë më besnikë. Kritikët e tij e përshkruajnë këtë si mungesë të “parmakëve”. Dhe, ai është një luftëtar, kështu që “Lufto! Lufto! Lufto!” mund të jetë drejtimi nga ku do të fillojnë gjërat që në fillim.
Por, Trumpi e sheh veten më shumë si një negociator sesa si një ideolog. Nënpresidenti i zgjedhur, JD Vance, u tregua për habi dypartiak në legjislacionin që paraqiti në Senat. Ka gjithashtu disa këshilltarë që padyshim do t’i thonë Trumpit se mandati i tij i parë do të kishte shkuar më mirë nëse do të kishte filluar me një iniciativë dypartiake, në vend të uljeve të taksave ose shfuqizimit të projektit të Obamacare [për sigurimet shëndetësore].
Dy gjëra u hodhën në erë përpjekjet për bashkëpunim dypartiak më 2017. E para ishte hetimi Trump-Rusi, me dyshimet për spiunim për fushatën e tij, ku ai e fajësoi personalisht Obaman. E dyta ishte nevoja e Trumpit për të ndrequr marrëdhëniet me dy drejtuesit kryesorë republikanë në Kongres, Mitch McConnell dhe Paul Ryan, duke u përqendruar në prioritete të përbashkëta legjislative.
Trumpi iu kthye këtij modeli pas zgjedhjeve afatmesme të vitit 2018, kur demokratët fituan më shumë pushtet në Uashington, duke u takuar me Schumerin dhe kryetaren e atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi – “Çaku dhe Nensi” – së bashku me disa bisedime fatkeqe mbi emigracionin dhe kontrollin e armëve. Por, marrëdhënia e Trumpit me Pelosin u përkeqësua shpejt dhe demokratët u përqendruan në parandalimin e rizgjedhjes së tij.
“Dikur ai kishte shumë miq në anën e demokratëve, para se të përfshihej në politikë”, i tha Manaforti, Halperinit. “Mendoj se do ta shihni që do të përpiqet të afrohet sërish, por jo duke shitur premtimet e tij ndaj popullit amerikan”.
Ky është çelësi. Disa çështje janë polarizuese. Gjithashtu, është e qartë se, nëse dikush e zemëron atë, çdo marrëveshje bie poshtë. Është e lehtë të imagjinohet shpërthimi i Trumpit gjatë takimit të tij me Bidenin sapo një gazetar ta pyesë se pse nuk ia dha pasardhësit të tij, që u bë paraardhës, të njëjtën mirësjellje në fund të vitit 2020 ose në fillim të vitit 2021.
Nëse do të mbizotërojë Trumpi hakmarrës apo ai negociator, kjo varet pjesërisht nga fakti nëse të tjerët preferojnë të bëjnë marrëveshje apo të luftojnë. /Telegrafi/