Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka vendosur një tarifë prej 50% për një gamë të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja, në shenjë hakmarrjeje për atë që ai e quajti “trajtim të pabarabartë” të makinave, produkteve të qumështit dhe alkoolit amerikan, raporton BBC, transmeton KosovaPress.
Kryeministri Mark Carney u përgjigj duke thënë se Kanadaja ishte e gatshme të “intensifikonte” bisedimet tregtare me ShBA-në në javët e ardhshme.
Detyrimet e reja zbatohen për të gjitha mallrat e mbuluara pavarësisht nëse produkti ishte përfshirë në marrëveshjen ekzistuese të tregtisë së lirë midis Kanadasë, SHBA-së dhe Meksikës, e njohur si USMCA.
“Ky është veprimi i fundit në një seri veprimesh të njëanshme tregtare të SHBA-së që filluan me vendosjen e një sërë tarifash nga SHBA-ja në shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes Kanada-Shtetet e Bashkuara-Meksikë”, tha Carney në një deklaratë për X.
Ai përmendi gjithashtu “kërcënime ndaj sovranitetit kanadez”, një referencë e mundshme për thirrjet e Trump për ta bërë fqinjin verior të Amerikës shtetin e 51-të të SHBA-së.
Shtëpia e Bardhë tha se detyrimet do të hyjnë në fuqi brenda 30 ditësh dhe do të shënojnë një përshkallëzim të madh të tensioneve tregtare midis fqinjëve të Amerikës së Veriut.
Artikuj të konsumit të përditshëm si vera dhe shkopinjtë e hokejit dhe mallra industriale si çimentoja janë ndër mallrat e synuara. Megjithatë, disa eksporte kyçe do të kursehen, siç janë energjia, potasiumi, mineralet kritike dhe peshku.
Taksat e importit të së hënës mbështeten në barrierat tregtare që tashmë janë në fuqi midis dy vendeve.