RAJONI DHE BOTA

Trump dhe Putin shtrëngojnë duart në Kinë, Xi i pret në samitin e APEC-ut

Trump dhe Putin shtrëngojnë duart në Kinë, Xi i pret në samitin e APEC-ut
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Nëntor 2026, 14:20

Presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai kinez, Xi Jinping, janë shfaqur së bashku në qytetin Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë Trumpin dhe Putinin duke shtrënguar duart, ndërsa Xi Jinping qëndron pranë tyre. Ky është një nga momentet më të rëndësishme diplomatike të samitit, pasi tre liderët pritet të zhvillojnë takimin e tyre të parë zyrtar trepalësh.

Më herët, presidenti kinez e priti personalisht Trumpin në aeroportin e Shenzhenit, ku të dy shkëmbyen një përqafim dhe shtrënguan duart. Kjo pritje u vlerësua si një gjest i veçantë diplomatik, pasi Xi rrallëherë i pret personalisht liderët e huaj në aeroport.

Ndërkohë, Xi dhe Putin zhvilluan edhe një takim të veçantë, në të cilin diskutuan marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjatë fjalimeve në samitin e APEC-ut, Xi bëri thirrje për tregti më të lirë dhe bashkëpunim më të madh ekonomik, ndërsa Putin kritikoi sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.

Takimi trepalësh mes Trumpit, Putinit dhe Xit është paraparë të mbahet të enjten, më 19 nëntor. Në mesin e temave që pritet të diskutohen janë lufta në Ukrainë, konflikti në Iran, kontrolli i armëve bërthamore, tregtia ndërkombëtare dhe siguria globale.

Vizita dhe paraqitja e përbashkët e tre liderëve ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare. Sipas analizave të mediave, pjesëmarrja e Putinit në këtë takim përbën edhe një mundësi për Kremlinin që të tregojë se Rusia vazhdon të ketë kontakte të nivelit të lartë me fuqitë kryesore botërore, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit diplomatik që pasoi pushtimin e Ukrainës.

Trump ka udhëtuar drejt Kinës nga Filipinet, ku kishte marrë pjesë në takime me liderë të rajonit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika