LAJME

Tri vjet nga sulmi në Banjskë, Kurti: Shteti ynë ka ngadhnjyer mbi agresionin dhe krimin

Tri vjet nga sulmi në Banjskë, Kurti: Shteti ynë ka ngadhnjyer mbi agresionin dhe krimin
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Shtator 2026, 07:15

Në trevjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar ngjarjen dhe ka vlerësuar rënien e tij në krye të detyrës.

Kurti tha se Bunjaku ra duke mbrojtur sundimin e ligjit, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, duke e cilësuar atë hero të vendit.

Në reagimin e tij, Kurti e cilësoi grupin e armatosur përgjegjës për sulmin si “grup terrorist paraushtarak të organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi”, ndërsa si udhëheqës të tij përmendi Milan Radoiçiqin. Sipas tij, sulmi, që kishte për qëllim konflikt të armatosur dhe gjakderdhje në zonën e Manastirit të Banjskës, dështoi pas reagimit të institucioneve të Kosovës.

“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur kishte bllokuar një urë në hyrje të Banjskës me dy kamionë, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës që shkuan në vendin e ngjarjes u sulmuan. Në përleshjen që pasoi u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy zyrtarë policorë. Gjatë operacionit policor u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.

Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë tre të akuzuar në rastin e Banjskës. Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dušan Maksimoviq me 30 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë, ndërsa pjesa tjetër e të akuzuarve, përfshirë Milan Radoiçiqin, vazhdon të jetë e paarritshme për drejtësinë në Kosovë.

Në deklaratën e tij, Kurti tha se në vendin ku ndodhi sulmi, rruga sot mban emrin e Afrim Bunjakut. Emërtimi i rrugës “Afrim Bunjaku” u vendos nga Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2024.

“Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhnjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët”, ka shkruar Kurti.

Në fund të reagimit, kryeministri ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika