LAJME

Abdixhiku kujton Afrim Bunjakun: Përgjegjësit e Banjskës duhet të dalin para drejtësisë

Abdixhiku kujton Afrim Bunjakun: Përgjegjësit e Banjskës duhet të dalin para drejtësisë
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Shtator 2026, 08:20

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot heroin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në detyrë gjatë sulmit në Banjskë.

Abdixhiku ka thënë se Bunjaku “dha jetën duke mbrojtur shtetin, qytetarët dhe sovranitetin e Kosovës”.

“Më 24 shtator 2023, në Banjskë, Afrim Bunjaku u vra në krye të detyrës nga një grup terrorist i organizuar, i armatosur dhe i mbështetur nga Serbia”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, Bunjaku ra duke mbrojtur institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

“Afrimi nuk u tërhoq. Nuk u dorëzua. Ai qëndroi aty ku e kërkonte detyra dhe aty ku mbrohej Republika”, ka shkruar ai.

Abdixhiku e ka cilësuar Bunjakun si simbol të institucioneve të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

“Sot, emri i Afrim Bunjakut është më shumë se një emër i skalitur në historinë e Policisë së Kosovës. Ai është simbol i shtetit që mbron qytetarët e vet, i institucioneve që nuk përkulen para dhunës dhe i një Kosove që nuk frikësohet nga askush”, ka thënë ai.

Në mesazhin e tij, Abdixhiku ka kërkuar gjithashtu që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë.

“Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë”, ka deklaruar kryetari i LDK-së.

Në fund, Abdixhiku ka shprehur nderimin e tij për policin e vrarë në Banjskë.

“Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi”, ka shkruar Abdixhiku.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika