LAJME

Totaj takon përfaqësuesit e KBI-së, diskutojnë për organizimin e shërbimeve në varrezat e reja të qytetit

Totaj takon përfaqësuesit e KBI-së, diskutojnë për organizimin e shërbimeve në varrezat e reja të qytetit
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Shtator 2026, 11:24

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur në takim Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Valon Ibrahimi, Shejh Abedin Shehun dhe Referentin për Shërbime Fetare në KBI, Eroll Raka, me të cilët ka diskutuar dhe koordinuar hapat e mëtejmë për organizimin e shërbimeve në Varrezat e Reja të Qytetit.

Sipas Totajt, projekti është rezultat i një pune shumëvjeçare, gjatë së cilës janë zhvilluar procedura të shumta dhe është bashkëpunuar me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe institucione të tjera, deri në sigurimin e 57 hektarëve tokë për Varrezat e Reja të Qytetit.

Ai ka bërë të ditur se janë zhvilluar edhe diskutime publike dhe konsultime me bashkësitë fetare, ndërsa është përcaktuar edhe bashkëpunimi me operatorin që, sipas kontratës, do të kujdeset për menaxhimin e hapësirës dhe investimet e nevojshme.

Totaj ka theksuar se projekti ka marrë përkrahje nga qytetarët, pasi synon të adresojë një nevojë afatgjatë të Prizrenit, ndërsa ka kërkuar që institucionet relevante ta mbështesin procesin dhe të kontribuojnë në zhvillimin e tij pa pengesa.

Qëllimi, sipas tij, është që Varrezat e Reja të shndërrohen në një kompleks modern dhe të rregulluar, me infrastrukturën dhe kushtet e nevojshme. Ai ka vlerësuar se, për nga koncepti, madhësia dhe mënyra e organizimit, bëhet fjalë për një projekt të rrallë të këtij lloji në Kosovë.

Kryetari i Prizrenit ka theksuar se nevoja për këtë projekt është shtuar për shkak të kufizimit të hapësirave për varrime të reja në Varrezat e Qytetit dhe në varrezat e lagjes “Arbana”.

Sipas tij, në koordinim me komunitetet fetare në Prizren, nga 10 gushti 2026 varrimet e reja kanë filluar të realizohen në Varrezat e Reja të Qytetit.

Totaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, duke theksuar se ndryshimi i lokacionit të varrimit është çështje e ndjeshme për familjet. Ai ka thënë se, në bashkëpunim me bashkësitë fetare, operatorin dhe institucionet përgjegjëse, po punohet që familjet të kenë shërbim të rregullt, të organizuar dhe dinjitoz.

Sipas Totajt, Varrezat e Reja të Qytetit përbëjnë një zgjidhje të domosdoshme për Prizrenin dhe një investim afatgjatë për gjeneratat e ardhshme.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika