Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar lidhur me rastin e djeshëm, ku humbi jetën një 24-vjeçar në vendin e tij të punës.
Ai u ka uruar ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, duke shtuar se kjo tragjedi duhet të na zgjojë ndërgjegjen si shoqëri dhe si institucione.
Ai theksoi se asnjë punëtor nuk duhet ta humbë jetën duke siguruar jetesën për familjen e tij.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së një të riu në vendin e tij të punës në Prizren. Në emrin tim dhe të Komunës së Prizrenit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe. Kjo tragjedi nuk duhet të mbetet vetëm një lajm i rëndë i ditës. Ajo duhet të na zgjojë ndërgjegjen si shoqëri dhe si institucione. Asnjë punëtor nuk duhet ta humbë jetën duke siguruar jetesën për familjen e tij.” – shkruan Totaj përmes një postimi në Facebook.
Totaj theksoi tutje se pret nga institucionet kompetente që ta zbardhin plotësisht këtë rast dhe të sigurojnë përgjegjësi për secilin që ka lëshuar detyrimet e veta.
“Njëkohësisht, është e domosdoshme që kontrollet dhe inspektimet në vendet e punës të intensifikohen, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë. Siguria në punë nuk është formalitet administrativ, është detyrim ligjor, moral dhe njerëzor. Jeta e çdo punëtori ka vlerë të paçmueshme. Vetëm përmes përgjegjësisë, mbikëqyrjes efektive dhe respektimit të standardeve të sigurisë mund të parandalojmë që familje të tjera të përballen me dhimbje të tilla. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të ndjerin.” – theksoi tutje Totaj.