LAJME

Totaj i kundërpërgjigjet Kurtit: Komuna nuk po e bllokon stadiumin “Përparim Thaçi”

Totaj i kundërpërgjigjet Kurtit: Komuna nuk po e bllokon stadiumin “Përparim Thaçi”
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Qershor 2026, 13:10

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, të cilët kanë akuzuar Komunën e Prizrenit për zvarritjen e procedurave për ndërtimin e stadiumit “Përparim Thaçi”.

Përmes një reagimi, Totaj i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta, duke theksuar se Komuna nuk ka bllokuar investimin prej 13 milionë eurosh për stadiumin.

Sipas tij, Drejtoria e Sportit pranë ministrisë përkatëse e kishte informuar Komunën për planet e renovimit të stadiumit, ndërsa pas dorëzimit të kërkesës për leje ndërtimore ishte konstatuar nevoja për bashkimin e disa parcelave në mënyrë që objekti të përmbushte standardet e UEFA-s.

Totaj ka bërë të ditur se ka nënshkruar dokumentacionin e nevojshëm për bashkimin e parcelave dhe se procedurat administrative kanë kërkuar kohë për t’u përmbyllur.

“Jemi në fazën finale dhe shumë shpejt pritet të finalizojmë procesin, në mënyrë që t’i jepet leja institucionit përgjegjës për fillimin e punimeve”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Prizrenit ka ftuar këdo që ka dyshime lidhur me këtë proces që të shikoj dokumentacionin përkatës, ndërsa ka theksuar se nuk do të ishte pengesë për asnjë investim në sport.

Debati rreth stadiumit “Përparim Thaçi” u intensifikua pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbrëmë akuzoi Komunën e Prizrenit për vonesa në dhënien e lejes për realizimin e projektit.

’’Ata që gënjejnë si në këtë rast z. Kurti dhe z. Haskuka u them se, jo vetëm si politikan por edhe si qytetar kaq pak moral paskan. Për të ardhur keq jeni talenta!’’, ka përfunduar Totaj.

Totaj në reagimin e tij ka vendosur një link gjatë një takimi me drejtorin e Departamentit të Sportit në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit:

https://www.facebook.com/shaqirtotaj/posts/pfbid0PoSYCoVZSR2tBADLrQ2hwseM1NoKb6CQJww8DVigroshw3isUkJakzKSLYYjk2Fxl?__cft__[0]=AZY-kOFmVLanmUM7XmwAGpnrLlEKXIgGMAmDpzV_dKUYylpkkbwuBf8bcK38lSIhpQG9EtqbkgXauOsf_a6i7ir8qWiQHQkYXMbbQYjdmzsadnLT4Yl2QZJxIE5COyxafAuP1D70UDk6jj7o1PWaf_k4eva4knFuRsF2GdhsEqfnOwu24Nj5K-RFyqqYH13e2y8&__tn__=-UK-R

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika