Parku Kombëtar i Thethit vijon të jetë ndër pikat më të vizituara në Shqipëri, gjatë muajit shtator
Fshati Theth ndodhet në verilindje të qytetit të Shkodrës, në të ashtuquajturën nënrajoni alpin ndodhet njësia administrative Shalë. Kjo njësi ka në administrim 11 fshatra, ndër to edhe Thethin. Fshati Theth ndodhet më në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve Shqiptare me një bukuri të rrallë. Fshati përfshihet në Parkun Kombëtar të Thethit, si aseti më tërheqës natyror në Qarkun Shkodër dhe më gjerë, i cili shtrihet midis bllokut “Bjeshkët e Nëmuna” në perëndim, dhe bllokut të Jezercës në lindje, transmeton albinfo.ch.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër informon se këtë javë turistët vendas dhe të huaj që kanë vizituar Thethin kanë qenë mbi 1800 persona.
Turistë të shumtë kanë zgjedhur Thethin në këtë messhtator për të shijuar një nga spektaklet më të mahnitshme të natyrës në këtë zonë, ku gjethet e pemëve përflaken nga ngjyrat marramendëse të vjeshtës.






