Në një artikull të publikuar të mërkurën, mediumi prestigjioz britanik “The Guardian” ka alarmuar për thirrjet fashiste nga tifozët serbë ndaj Kosovës, pas situatës së tensionuar në veri si pasojë e sulmit të armatosur të grupit të uniformuar serb ndaj Policisë së Kosovës, në fund të shtatorit. Aty është vënë në theks edhe lidhja e tifozëve me presidentin e Serbisë.
Duke përshkruar thirrjet “Kosova është Serbi” dhe “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, “The Guardian” ka shkruar se stadiumet e futbollit janë ndër pak vende në Ballkan që shpërfaqin “politikën e paqëndrueshme ndëretnike”. Në stadiumet në Serbi bëhen në vazhdimësi thirrje që kujtojnë spastrimin etnik të viteve të ’90-ta. “Duhet t’u japim fund”, ka thënë një tifoz i Cërvena Zvezdës. Sipas “Guardianit”, ai s’po i referohej kundërshtarëve të futbollit, por shqiptarëve që shpallën pavarësinë nga Serbia 15 vjet më parë.
Në raportim është alarmuar po ashtu se tifozët në ndeshjet e fundit kanë bartur fanella me fytyrën e Stefan Nedeljkoviqit, një nga tre serbët e vrarë gjatë aksionit të Policisë pas sulmit të grupit të uniformuar serb në Banjskë të Zveçanit. “Stefani është hero dhe për vdekjen e tij duhet të ketë hakmarrje”, ka thënë ky tifoz.
Ultranacionalizmi është diçka e njohur te tifozët e futbollit në Serbi. Kritikët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se përzierja e shovinizmit etnik dhe demagogjisë ka lejuar që sentimentet ultranacionaliste të dalin e të rriten përtej stadiumeve.
Madje lideri serb akuzohet edhe për bashkëpunim me huliganët në futboll, sipas James Montaguet, studiues që është marrë me botën e dhunshme dhe komplekse të ultrasëve në Serbi.
“Vuçiqi e ka kuptuar se ky është elektorat i fuqishëm dhe i rrezikshëm që mund ta bëjë apo rrëzojë një president”, ka thënë Montague. “Ultrasët mund të mobilizohen shpejt për qëllime politike, po që se duhet. Në të njëjtën kohë, autoritetet dëgjojnë me kujdes se çka brohoritet në tribuna”.