LAJME

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Shtator 2026, 19:38

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë shpallur “Qytetarë Nderi” të Tiranës.

Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, vendimi është marrë pas propozimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa nisma kishte kaluar fillimisht në Komisionin Artistik-Kulturor të Bashkisë, ku ishte miratuar unanimisht.

Nderimi për katër ish-krerët e UÇK-së lidhet me kontributin dhe rolin e tyre gjatë luftës në Kosovë, si dhe me angazhimin e tyre në rrugëtimin politik të vendit drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Një vendim i miratuar unanimisht nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, në nderim të kontributit dhe rolit të tyre në historinë e Kosovës dhe në luftën e UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Propozimi për shpalljen e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit “Qytetarë Nderi” ishte bërë publik më herët nga Veliaj, i cili kishte deklaruar se nisma synonte të shprehte mirënjohjen e Tiranës për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

Në motivacionet e bëra publike gjatë procedurës, përmendet kontributi i tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimin politik të Kosovës, procesin drejt pavarësisë, si dhe lidhjet e tyre me Tiranën dhe Shqipërinë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë mbajtur role të rëndësishme në UÇK dhe më pas në jetën institucionale e politike të Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika