Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të tregojë vizion shtetëror për ndërtimin e një koalicioni funksional dhe sigurimin e zgjedhjes së presidentit.
Terrasi e dha porosinë përmes një postimi në rrjetet sociale të martën pasdite, ku bëri të ditur takimet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini.
”U takova me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini. E inkurajoj kryeministrin Albin Kurti të tregojë vizion shtetëror për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit. Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme për të ecur përpara në rrugën e saj”, ka shkruar Terras.





