Qytetarët e Kosovës janë përdorues mjaft aktivë të shërbimeve të ndryshme online dhe blerjeve me kartela bankare, por me rritjen e teknologjisë, është rritur edhe pasiguria tek ata, pasi ka raste të keqpërdorimit të kartelave dhe mënyra të tjera me të cilat po i preken të ardhurat e tyre.
Policia e Kosovës njoftoi se nga janari i vitit 2020-s e deri në qershor të vitit 2022-s, janë trajtuar rreth 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare. Sipas Policisë, disa prej formave të evidentuara janë mashtrimet në uebfaqe dhe rrjete sociale, mashtrimet e bizneseve përmes internetit, “Peshkimi i të dhënave ose Fishing” dhe “klonimi” i kartelave bankare.
Tentimet për mashtrimin e qytetarëve vazhdojnë të jenë të ndryshe. Disa iu kërkojnë qytetarëve të dhënat personale kinse kanë fituar ndonjë shpërblim, e disa paraqiten si të punësuar në bankë, duke kërkuar të dhëna bankare.
Njohësi i kibernetikës, Mentor Hoxha, tha se bankat duhet të mbajnë fushata ndërgjegjësimi lidhur me këtë problematikë, gjë që ai nuk ka parë ende nga bankat në Kosovë.
“Të gjithë tentojnë që të arrijnë deri tek të dhënat financiare dhe mënyra më e lehtë që të vidhen të dhënat bankare. Kemi persona të cilët tentojnë të mashtrojnë qytetarin me arsyetime të ndryshme, qoftë që qytetari ka fituar ndonjë shpërblim apo banka quhet si auditor apo person i certifikuar i bankës dhe kërkon të dhëna të tilla bankare. Bankat të mbajnë fushatë ndërgjegjësuese lidhur me mashtrimet. Në momentin e parë që ndodh një lloj mashtrimi të vendosë apo të rrisë masat e kontrollit dhe t’i njoftojë qytetarët. Nuk kam parë deri më tani asnjë këshillë të asnjë prej bankave, se si duhet të kujdesemi për kartelat bankare. Po tregoj për një rrezikshmëri të madhe ku ne të gjithë i ekspozohemi vjedhjes së të dhënave bankare dhe në hapësirën kibernetike do të shohim çdo ditë e më shumë, dhe normalisht këto mashtrime do të perfeksionohen çdo ditë e më shumë”, tha ai.
Hoxha theksoi se në ‘Black Friday’ organizohen mashtrime të mëdha dhe qytetarët që blejnë online, duhet të kujdesen që të mos japin shumë të dhëna personale, sepse, siç thotë ai, banka nuk mban aspak përgjegjësi për këto blerje.
“Në gjitha rastet kur blini online në asnjë rast nuk duhet të jepni kodin prapa. Duhet të jenë tepër të kujdesshëm në shitjet online sepse në momentin e parë që ju bëni blerje, banka nuk e merr asnjë përgjegjësi. Të gjithë ata që janë djegur e kuptojnë që banka merr zero përgjegjësi për blerjet online. Bankat janë 99.9% të sigurta për vete, për të dhënat dhe paratë e tyre. Në këtë drejtim, vetëm 0.01 % kujdesen për sigurinë e të dhënave të klientëve, që klientët të mos të jenë të mashtruar dhe të vjedhur online”, deklaroi ai.
Sipas ekonomistit Mustafë Kadrijaj, Kosova duhet të jetë vigjilente dhe të bashkëpunojë me qytetarët
“Shteti ka obligim të krijojë siguri sepse nuk mund askush të mbajë vende të punës dhe të krijojë biznese sepse në moment të caktuar, e gjitha ajo djersë dikush mund ta merr. Kjo është e papranueshme dhe vlerësoj që institucionet duhet ta marrin si një lloj alarmi që të ngritët vetëdija dhe vigjilenca”, deklaroi Kadrijaj.
Cak i sulmeve më të gjëra kibernetike kanë qenë edhe institucionet, ndërmarrjet dhe kompanitë private nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Qeveria e Kosovës pati thënë se asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave. Sistemet qeveritare në Kosovë janë ballafaquar gjatë këtij viti me sulm kibernetik të llojit “DdoS” që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit, brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare.
Faqja e kryeministrisë, disa ministrive, ajo e Policisë së Kosovës, platforma e-Kosova dhe disa media, kanë qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) është angazhuar maksimalisht që ndikimi i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.
Sipas tyre, në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm dhe aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Pas pengesave disa-orëshe, të gjitha shërbimet qeveritare i janë rikthyer normalitetit.
Me sulme kibernetike është ballafaquar edhe njëra prej telefonive kryesore- Telekomi i Kosovës. Nga kjo kompani kanë thënë se, janë identifikuar IP adresat prej nga kanë ardhur sulmet por që nuk e kanë treguar burimin.
Edhe sulmi që ka goditur telekomin njihet si DDoS, përmes të cilit krijohen pako të rrejshme në rrjet, nga shumë kompjuterë. Sipas drejtuesve të Telekomit, rreziku i vetëm ka qenë ngarkesa në rrjet duke mohuar se ka pasur përpjekje për të hyrë në sistemin e Telekomit, ku do të rrezikoheshin të dhënat e konsumtarëve që marrin shërbime prej kësaj kompanie.
Pas sulmit masiv, institucionet thanë se janë duke analizuar situatën për të identifikuar se prej nga erdhën ato./Ksp/koha.net/