LAJME

Sveçla thotë se në varrezën masive në Jabukë janë zbuluar të paktën 4 trupa

Sveçla thotë se në varrezën masive në Jabukë janë zbuluar të paktën 4 trupa
TV Prizreni
TV Prizreni
3 Gusht 2026, 17:29

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se në varrezën masive në Jabukë të Zubin-Potokut janë zbuluar të paktën 4 trupa, që dyshohen se janë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Sveçla ka thënë se viktimat pas ekzekutimit ishin hedhur në një gropë qereçi.

“Deri tash janë zbuluar të paktën 4 trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi…Hetimet për kriminelët që kanë shkaktuar këtë krim do të vazhdojnë. S’do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe të pagjeturin e fundit, por po ashtu s’do të ndalemi edhe derisa secili kriminel të paguajë për krimet që ka shkaktuar”, ka thënë Sveçla në një prononcim për media nga lokacioni i ri ku janë gjetur mbetje mortore.

Të dielën Prokuroria dhe Policia e Kosovës njoftoi për zbulimin e një lokacioni të ri ku mund të ketë mbetje mortore. E javën e kaluar në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut u zbulua një varr masiv.

Sveçla ka thënë se distanca mes dy lokacioneve është afro 900 metra.

Ai ka thënë se Serbia vazhdon të mbetet ajo e njëjta që ishte në vitet ’90 në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë.

“Nuk po ndryshon…Tashmë gati tri dekada po punon në vazhdimësi që këto krime të fshihen. Është koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare ta rrisë presionin ndaj Serbisë, ndaj qeveritarëve të saj, në mënyrë që e vërteta për gjitha këto krime të zbardhet”, tha Sveçla.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika