Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj deklaratave kërcënuese të ish drejtorit të BIA-së serbe, Aleksandar Vulin, ndaj Kosovës dhe liderëve të saj, duke u bërë thirrje që faktori ndërkombëtar të ketë vëmendjen e plotë tek ato.
Në një deklaratë një ditë më parë, Vulini u shpreh se siç ka vepruar Mossadi (shërbimi inteligjent izraelit) në Iran, mundet edhe Serbia në Kosovë. Ai madje tha se këtë Serbia e ka bërë më herët, teksa shtoi madje edhe se kryeministri “Albin Kurti nuk frikësohet nga askush”.
Në një reagim në Facebook, Sveçla ka thënë se kjo deklaratë është e papranueshme dhe tërësisht kërcënuese.
“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan. Është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic. Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës” – ka shkruar Sveçla në Facebook të mërkurën.
Ai ka thënë se historia e afërt dëshmon përfshirjen e strukturave të inteligjencës serbe në vrasjen e veprimtarëve politikë shqiptarë. Sveçla ka thënë se deklarata se “Serbia di ta bëjë këtë” është precedent i rrezikshëm dhe se mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese.
Në këtë rast, Sveçla ka përmendur arrestimin e dy bjellorusëve dhe një rusi në javën e dytë të shkurtit. Ata ishin ndaluar pasi kishin hyrë ilegalisht dhe atyre u ishin gjetur pajisje për orientim, kamuflim e realizim të planeve operative, “që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin”.
Sveçla ka thënë se institucionet e Kosovës po kryejnë punën e tyre me profesionalizëm e se Kosova nuk frikësohet nga kërcënimet e tilla.
“Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vucic. Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin” – ka përfunduar ai.





