Ministri i Brendshmëm Xhelal Sveçla më 30 nëntor njoftoi se janë vetëm gjatë aksionit të Policisë së Kosovës që ndërlidhej me hetimin e sulmeve terroriste më të fundit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut dhe në objektin kryesor të Komunës së Zveçanit, ishin arrestuar tetë perona.
Rasti që u përmend nga Sveçla i takon Prokurorisë Speciale.
Por në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën nuk është paraqitur asnjë kërkesë për paraburgim apo masa të tjera të sigurisë lidhur me këto sulme terroriste.
Seancë dëgjimore për masa të sigurisë në këtë gjykatë është mbajtur vetëm për dy të pandehur të dielën. Për njërin, Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim ndërsa për tjetrin jo.
Gjykata Themelore në Prishtinë një ditë më parë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë lidhur për paraburgim për të dyshuarin Dragisha Veqentijeviq.
KOHA ka kërkuar sqarime nga prokuroria, policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me masat e sigurisë që janë në fuqi lidhur me të pandehurit, dhe është ende në pritje të përgjigjeve.
Burimet i kanë thënë KOHËS se prokuroria nuk pritet të paraqesë kërkesa të tjera për paraburgim që ndërlidhen me këtë rast gjatë të hënës.
Kushtetuta e Kosovës e parasheh që çdo i pandehur sillet para gjykatës brenda 48 orësh që prej ndalimit. E në të shumtën e rasteve, siç ishte të dielën, gjykatat në Kosovë e mbajnë seancën lidhur me masat e sigurisë brenda 24 orësh. Pra nëse një i pandehur është arrestuar më datën 30 nëntor, më së largu më 2 dhjetor prokuroria mund ta paraqesë kërkesën për masa të sigurisë (siç është paraburgimi), kur edhe mbahet seanca dëgjimore në të cilën gjykata vendos se a i shqiptohen të dyshuarit masa të sigurisë apo lirohet.
“Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit”, shkruhet ndër të tjera në nenin 29 të Kushtetutës.