Sot fillon periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme të cilët do të mbahen më 28 dhjetor.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka dhënë detaje shtesë për Rtk Live, transmeton Klankosova.tv.
Elezit ka thënë se “gjatë kësaj periudhe 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi mund të bëhet përmes (1) platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë”.
Më tej, ai ka treguar se “në momentin e regjistrimit, votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës”.
Po ashtu, Elezi ka sqaruar se “në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”.
Sipas afateve të vendosura nga KQZ, votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 27 dhjetor 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025.
