Kthim prapa në përpjekjet e Kosovës për avancimin e marrëdhënieve me pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian po konsiderohet vendimi i njërit prej këtyre vendeve për ta mbyllur zyrën ndërlidhëse.
Sllovakia ka marrë vendim që nga janari i vitit të ardhshëm ta mbyll zyrën në Prishtinë, që u arsyetua me riorganizimin e rrjetit diplomatik.
E informacionet për situatën në Kosovë, kryeministri sllovak, Robert Fico, gjatë qëndrimit në Beograd, deklaroi se do t’i marrë nga ushtarët e vendit të tij që pas 15 vjetësh do të jenë pjesë e KFOR-it.
Ndërprerja e komunikimit diplomatik me Prishtinën zyrtare dhe në anën tjetër rikthimi i ushtarëve sllovakë, sipas Nexhmedin Spahiut, është kthim prapa dhe kjo mund të jetë bërë me kërkesë të Serbisë.
“Meqenëse Serbia bën propagandë për shkelje të të drejtave të njeriut, shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë, KFOR-i është njëfarë garancie për këtë, prandaj sipas kësaj logjike do ta ketë arsyetuar që Sllovakia të dërgojë forca të KFOR-it në mënyrë që ato të jenë një lloj mbrojtje për serbët në Kosovë. Në anën tjetër, ajo që shërben për marrjen e informacioneve nga Kosova, siç është zyra ndërlidhëse, e ka mbyllur. Në të dyja rastet duhet të ketë qenë kërkesë e Serbisë, pra në njërën anë që të mbyllen ambasadat e huaja dhe e dyta përbërja e KFOR-it të jetë sa më shumë prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka deklaruar Nexhmedin Spahiu, ligjërues i Shkencave Politike.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, në konferencën e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, njoftoi se vendi i tij do t’i dërgojë 150 ushtarë në Kosovë. Ai e siguroi Vuçiqin se nuk do ta njohin asnjëherë shtetin e Kosovës edhe nëse ballafaqohen me presion ndërkombëtar.
Spahiu vlerëson se Kosova do ta ketë vështirë të marrë njohje të reja jo vetëm nga Sllovakia, por edhe nga vendet tjera, përderisa nuk zgjidhet problemi me Serbinë.
“Pa u ngritur flamuri i Kosovës në Beograd vështirë se Kosova mund të marrë ndonjë njohje tjetër. Aleatët e Kosovës vazhdimisht insistojnë në atë që të zbatohet Marrëveshja e Brukselit në mënyrë që të bisedohet tutje, të ketë njohje prej vendeve tjera të botës. Në veçanti duhet të na interesojë njohja nga pesëshja e BE-së, pastaj njohja e Rusisë dhe e Kinës, ndërsa vendet e tjera pastaj janë të parëndësishme. Nëse shtyhemi se a e ka njohur Kosovën Zimbabveja, kjo nuk çon ndonjë peshë. Mirë është që ta njohin sa më shumë shtete, por këto nuk e ndryshojnë thelbësisht pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare arrihet me njohjen e Serbisë, e të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, Rusisë dhe Kinës. Këto e kompletojnë faktorizimin e Kosovës si subjekt ndërkombëtar”.
Përveç Sllovakisë, Zyre Ndërlidhëse në Kosovë kanë edhe shtetet e tjera jonjohëse: si Rusia, Kina, Rumania dhe Greqia./koha.net/