Në ditët e para të vitit për shkak të dendësisë të mjegullës në Kosovë ishin anuluar disa fluturime nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”. Ndërsa gjatë ditës së premte, më 03.01.2025, ende nuk është anuluar asnjë fluturim, thanë nga Aeroporti për KALLXO.com.
Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit, u përgjigj shkurt në pyetjet e parashtruara për këtë çështje duke thënë se “fluturimet jane duke u realizuar sipas planit dhe nuk ka anulime”.
Edhe në bazë të ueb-faqes të Aeroportit, ku njoftohet për fluturimet gjatë ditës, nuk është parë që është shtyrë ose anuluar ndonjë fluturim deri në orët e para të mesditës të 03.01.2025.
Në dy ditët paraprake, për po të njëjtën arsye ishin anuluar afër 50 fluturime, kurse në disa të tjera ka pasur vonesa.
Instituti Hidrometeorologjik paralajmëroi se më 03.01.2025, është parashikuar mëngjesi të jetë me ngrica dhe kushte për mjegull.
Ndërkaq, për pasdite dhe mbrëmje nuk është njoftuar nëse do të ketë mjegull, veçse vranësira të intensifikuara dhe reshje bore.
Liburn Aliu, ministër i i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të enjten më 02.01.2025, ka thënë se devijimet apo anulimet e fluturimeve për shkak të mjegullës kanë ndodhur meqë pilotët nuk kanë qenë të certifikuar për sistemin e avancuar të aterrimit “ILS CAT IIIb”. Me këtë sistem është i pajisur Aeroporti i Prishtinës.
“Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar”- ka shkruar Aliu në Facebook.
Aliu tha se sistemi i avancuar i aterimit i instaluar në Aeroportin e Prishtinës, mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.
Një situatë e tillë ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Kosovë është i pranishëm një fluks i madh i vajtje-ardhjeve të mërgimtarëve për pushime dimërore dhe për festat e fundvitit.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se qytetarët po presin më shumë se një orë në pika kufitare për të dalë nga Kosova, ndërsa janë krijuar edhe kolona të automjeteve deri në 600 metra.
Të dhënat e fundit të kësaj Qendre tregojnë se kolonat te pika kufitare me Serbinë, te Dheu i Bardhë, arrijnë deri në 400 metra, ndërsa mbi një orë (100 minuta) janë pritjet për të dalë nga Kosova, në këtë pikë kufitare.
Në Merdarë, qytetarët po presin deri në një orë, kurse deri në 200 metra është kolona e krijuar në dalje.
Ndërsa në Jarinje, qytetarët po presin deri në 15 minuta për hyrje, kurse deri në 20 minuta për të dalë nga Kosova. Kolona për hyrje-dalje në këtë pikë: 15 deri në 20 metra.
Në Muçibabë, pritjet për të dalë nga Kosova shkojnë deri në 15 minuta, kurse 100 metra është krijuar kolona e automjeteve në këtë pikë kufitare.
Në pika të tjera kufitare – sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar – vonesat janë nga 3 deri në 5 minuta, ndërsa nuk raportohet për kolona të automjeteve.