Pavarësisht rritjeve të theksuara të çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, niveli i pagave ka vazhduar të mbetet i ulët ndër vite.
Aktualisht pagat në sektorin privat vazhdojnë të mbesin dukshëm më të ulëta se në atë publik.
Brenda më pak se një dekade, paga bruto [paga e pa tatimuar] në sektorin privat është rritur vetëm 43 euro, krahasuar me atë të punëtorëve që punojnë në publik me një rritje prej 217 euro.
“Në vitin 2012, paga mesatare bruto në Kosovë ishte 383 euro, derisa në vitin 2019 ishte 477 euro, ndërsa në vitin 2020 kemi rënie në 466 euro, pra me një rënie me 11 euro nga viti paraprak. Derisa, paga neto nga 348 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 430 euro në vitin 2019, ndërsa vitin 2020 kemi rënie në 416 euro, pra me një rënie prej 14 euro nga viti paraprak”, thuhet në raportin “Niveli i pagave në Kosovë, 2020“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkruan Telegrafi.
Në vitin 2012, paga bruto në sektorin publik ka qenë 407, ndërsa në vitin 2020 kjo ka arritur në 624 euro. Për sa i përket pagës neto [e tatimuar], në vitin 2012 ishte 366 euro, kurse në vitin 2020 ka arritur në 552 euro, pra një rritje prej 186 euro.
“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2020 ishte 624 euro, duke u rritur me 53.3 për qind. Derisa, paga neto nga 366 euro, sa ishte në vitin 2012 është rritur 552 euro apo 50.8 për qind”, vijon raporti.
Lexo po ashtu:
Agjencia e Statistikave konfirmon rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, rëndohet buxheti familjar
Agjencia e Statistikave konfirmon rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, rëndohet buxheti familjar
Ndryshe nga ata punëtorët që punojnë në sektor publik, gjendja e pagave e atyre që punojnë në atë privat është jo e mirë. Paga bruto në vitin 2012 ishte 337 euro, kurse vitin 2020 ka arritur në 380 euro, një rritje jo më shumë se 43 euro. Ndërsa, paga neto për sektorin privat, në vitin referues ishte 308 euro por në vitin 2020 ka arritur 342 euro, pra vetëm 34 euro rritje.
“Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2012 ishte 337 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro, ndërsa në vitin 2020 kemi rënie prej 31 euro, pra paga mesatare bruto ishte 380 euro. Derisa, paga neto nga 308 euro, sa ishte në vitin 2012 dhe arriti në vitin 2019 në 372 euro, në vitin 2020 pati rënie me 30 euro, pra ra në 342 euro”, thotë ASK, përcjell Telegrafi.
Për sa i përket pagave të atyre që punojnë në ndërmarrjet publike, niveli i pagave është dukshëm më i madh, krahasuar me ata që punojnë në privat dhe publik.
Një punëtor në ndërmarrje publike paguhet 769 euro, ku në vitin 2012 është paguar 561 euro, pra 208 euro më shumë.
Indikator mjaft i rëndësishëm është edhe paga bruto dhe neto sipas aktiviteteve ekonomike në Kosovë. Paga mesatare bruto në vitin 2020, sipas aktiviteteve ekonomike më e lartë ishte te furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 956 euro, pastaj informim dhe komunikim me 697 euro, derisa paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 218 euro.
Lexo po ashtu:
Rritja e çmimeve të produkteve, Kurti: Do të kemi pako masash për t’u ndihmuar qytetarëve
Rritja e çmimeve të produkteve, Kurti: Do të kemi pako masash për t’u ndihmuar qytetarëve
Ndërsa, paga mesatare neto për këtë vit ishte te eurnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 842 euro, pastaj informim dhe komunikim me 616 euro, derisa paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 200 euro.
Për shkak të pandemisë COVID-19 që kishte përfshirë Kosovën dhe masave të ndërmarra nga Qeveria, ku si pasojë kishte mbyllje dhe reduktim të aktivitetit të sektorit privat, ASK thotë se ka rënie të pagës mesatare si bruto po ashtu edhe neto.
“Pasi që në sektorin privat kemi numrin më të lartë të punësuarve në raport me numrin e përgjithshëm të të punësuarve në vend, gjë që ka ndikuar në rënien e pagës mesatare si bruto po ashtu edhe neto në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon ASK.
Te të dhënat e sektorit privat nuk janë të përfshira shtesat në pagën mujore, sepse ato përfshihen në deklaratën vjetore si qarkullim. Derisa te sektori publik vërehet një rritje më e theksuar e pagës bruto dhe neto krahasuar me vitet paraprake, e cila ka ardhur për arsye të përfitimit të shtesave në sektorët specifik. /Telegrafi/