Ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin me forcë të civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Seanca u shty pasi shumica e avokatëve mbrojtës deklaruan se nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës dhe provat e nevojshme.
Gjyqtarja Medie Bytyqi kërkoi nga Prokuroria Speciale që materialet t’ua sigurojë avokatëve në prani të saj.
Edhe pasi avokatët u pajisën me shkresat e lëndës, ata kundërshtuan vazhdimin e seancës me arsyetimin se u duhet kohë për analizimin e materialit.
Për këtë arsye, gjyqtarja caktoi 28 shtatorin, në orën 09:30, për vazhdimin e shqyrtimit fillestar.
“Meqenëse kemi kundërshtim për të vazhduar sot me seancë, marr aktvendim shtyhet shqyrtimi fillestar 28 shtator nga ora 09:30”, tha ajo.
Sipas aktakuzës, 21 të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Prokuroria pretendon se gjatë janarit-qershorit 1999, forcat nën kontrollin e tyre kryen veprime që përfshinin djegien dhe shkatërrimin e pronës, ndalime arbitrare dhe sulme ndaj zonave të banuara me shqiptarë.
Sipas aktakuzës, këto veprime çuan në dëbimin me forcë të rreth 862 mijë e 979 civilëve shqiptarë nga Kosova drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së atëhershme./KOHA