Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka treguar se në shkëmbinjtë e Liqenit të Jazhnicës në Malet e Sharrit, vdiq një bjeshkatare gjermane.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës kishte marrë thirrje të dielën nga një grup i bjeshkatarëve, që kishin thënë se kanë hasur në një trup që dyshohet se është i pajetë, në afërsi të shtegut kryesor në Liqenin e Jazhnicës në Malet e Sharit.
SHKSHMK-ja ka njoftuar se është arritur të lokalizohet viktima, në koordinatat e marra paraprakisht nga grupi i bjeshkatarëve, pas një marshimi në errësirë dhe kushte dimërore.
Shtetasja gjermane M.N. dyshohet se gjatë ecjes e vetmuar në atë zonë, aksidentalisht kishte ngecur në një çarje mes shkëmbinjve, ka njoftuar SHKSHMK-ja.
Dyshohet se i kishte ngecur këmba dhe në pamundësi për të dalur dhe në pamundësi për të bërë thirrje për të kërkuar ndihmë, ka vdekur si pasojë e hipotermisë.
“Sipas mekanizmit të aksidentit dyshohet se viktima shtetases gjermane M.N., gjatë ecjes malore e vetmuar në këtë zonë, aksidentalisht këmba i kishte ngecur në çarje në mes të shkëmbinjve dhe në pamundësi të daljes nga kjo situatë dhe thirrjes për ndihmë – pasi që zona nuk ka mbulueshmëri me rrjet telefonik – dyshohet të ketë pësuar me fatalitet nga kushtet atmosferike duke kaluar në hipotermi”, ka njoftuar SHKMSHK-ja.
SHKSHMK-ja thekson se ky operacion i evakuimit ka zgjatur 9 orë të plota. Në këtë operacion ka asistuar edhe një ekip i kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Tutje, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.