Strategjia e kufizimeve në pandeminë e koronavirusit shkakton gjithnjë e më shumë pakënaqësi në degë të ekonomisë. Sipas shpikësve të vaksinës “Biontech”/”Pfizer”, Ozlem Tureçi dhe Ugur Sahin, durim duhet edhe vetëm për disa muaj
Shpikësit e vaksinës “Biontech”/”Pfizer”, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, presin që masat e kufizimit në Gjermani, për shkak të pandemisë së COVID-19 të përfundojnë deri në vjeshtë.
“Në shumë vende në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fund të verës ndoshta do të jemi në situatën që të mos na duhet të futemi më në mbyllje të jetës publike”, ka thënë Sahin, duke folur bashkë me bashkëshorten shkencëtare për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.
Sipas tij, do të duhet të paktën një vit para se situata të vihet tërësisht nën kontroll në të gjithë botën. “Sigurisht që do të vazhdojë të ketë shpërthime lokale, kjo do të na shoqërojë”, ka theksuar ai. “Do të ketë mutacione. Por ka shumë pak gjasa që këto të përhapin ndonjë tmerr”, ka shtuar ai.
Ndërkaq ka specifikuar se më pas duhet që të përshtaten edhe vaksinat e prodhuara.
“Po përgatitemi për këtë qysh sot”, ka bërë të ditur ai.
Sahin beson se virusi nuk do të zhduket. Porse, sapo të vaksinohen rreth 70 për qind e njerëzve në Gjermani, situata mbase do të bëhet më e menaxhueshme.
“Duhet të shohim nëse kemi nevojë për vaksinim çdo vit apo çdo pesë vjet”, ka thënë Sahin.
Kur u pyet nëse dikur do të ketë vetëvaksinime, studiuesi ka thënë se nuk duhet të jetë e nevojshme. Me përfshirjen e mjekëve të familjes dhe stafit mjekësor, vaksinimi i 80 milionë njerëzve një herë në vit nuk do të jetë problem. Vaksinimi nga personeli mjekësor shërben gjithashtu për të monitoruar një reaksion të mundshëm alergjik, i cili – megjithëse rrallë – mund të ndodhë.
Së bashku me bashkëshorten e tij, Sahini ka themeluar kompaninë “BioNTech” me bazë në Mainz. Vaksina kundër koronavirusit e këtij institucioni dhe partnerit të saj amerikan “Pfizer” ishte e para që e mori miratimin për përdorim të Bashkimit Evropian në 21 dhjetor të vitit të shkuar.
Me këtë, në Gjermani vaksinohen që nga 27 dhjetori.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka dekoruar të premten çiftin e studiuesve me “Kryqin Federal të Meritës” për kontributin e tyre në frenimin e pandemisë së koronavirusit.