Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu ishin shkaku kryesor i temperaturave rekord në dete në krejt Europën, kanë thënë shkencëtarët të mërkurën, më 19.08.2026, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ekosistemet detare dhe komunitetet bregdetare, raporton Reuters.
Detet e Europës nuk i kanë shpëtuar vapës ekstreme me të cilën janë përballur shumë vende këtë verë. Muajin e kaluar, temperatura mesatare në Mesdhe ishte 27 shkallë Celsius, më e larta për secilin korrik të regjistruar ndonjëherë, ndërsa një zonë në det të hapur pranë Majorkës regjistroi 33 shkallë Celsius në fillimgusht.
Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu kanë shtuar rreth 2 shkallë Celsius ngrohje në Mesdhe dhe rreth 1.4 shkallë Celsius në detet e Europës Perëndimore, sipas një analize nga grupi “World Weather Attribution” (WA), i cili përdor metoda të rishikuara nga kolegët për të vlerësuar rolin e ngrohjes globale në ngjarjet ekstreme të motit.
“Kjo ka potencialin t’i riformësojë plotësisht ekosistemet në të cilat mbështeten komunitetet bregdetare për ushqim dhe të ardhura, dhe të shkaktojë mot ekstrem të dëmshëm edhe në tokë”, ka thënë Claire Bergin, shkencëtare e klimës në Universitetin Maynooth në Irlandë dhe bashkautore e studimit.
Analiza ka vënë në pah se temperaturat maksimale të detit të regjistruara sivjet në Mesdheun lindor dhe perëndimor dhe përgjatë Gjirit të Biskayt dhe bregdetit të Iberisë do të kishin qenë “pothuajse të pamundshme” pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Në Detin Keltik, pranë Britanisë dhe Irlandës, temperaturat më ekstreme të regjistruara do të priteshin vetëm rreth një herë në shekull në një botë pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, ka spikatur ajo.
Detet më të nxehta rrisin lagështinë dhe temperaturat gjatë natës në zonat bregdetare dhe mund të ndihmojnë nxitjen e stuhive intensive më vonë gjatë vitit.
Emetimet e gazrave serrë, kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile, kanë rritur temperaturën mesatare të planetit në rreth 1.4 shkallë Celsius mbi nivelet para-industriale, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike. Kjo bazë më e nxehtë do të thotë se sistemet atmosferike me presion të lartë që shkaktojnë valë të nxehti mund të arrijnë temperatura më të larta./Kallxo.com