Shkeljet e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë vazhdojnë të jenë të shpeshta. Vetëm gjatë muajit janar, numri i ankesave ishte 141, prej tyre 9 për mashtrim gjatë blerjeve online. Në këtë situatë, konsumatorët e dëmtuar kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masat e nevojshme për ndëshkimin e shitësve të papërgjegjshëm.
Po të mos këmbëngulte për të drejtat e saja si konsumatore, Vjosa Çerkini nuk do të mundë t’i gëzonte me dhurata në prag të Vitit të Ri, disa fëmijë të komuniteteve pakicë në Ferizaj. Gazetarja, e cila vlerën e çmimit të fituar për dokumentarin më të mirë, për çrrënjosjen e varfërisë, vendosi ta shndërrojë në dhurata për fëmijë, tregon për televizionin publik një përvojë jo të mirë që pati gjatë blerjes së disa dhuratave.
“Kam pasur të blej rreth 50 dhurata për t’i dorëzuar në shkollën e fshatit Dubravë, ku jetojnë fëmijë të komunitetit romë e ashkali. Kur kam shkuar në njërën nga pikat e njërit prej marketeve të mëdha, në Ferizaj, të cilit nuk ia vlen as emrin me ia përmend, edhe pse s’kishte paralajmërim, më kanë thënë se nuk mund të blesh më shumë se 10 dhurata, edhe ma kanë bërë të padrejtë, sepse tentuan të ma ndalojnë blerjen e dhuratave. Pas këmbënguljes arrita t’i blej dhuratat. Kjo në fakt është shkelje e të drejtave të konsumatorëve dhe për këtë pastaj jam ankuar”, tha ajo.





