LAJME

Shiroka-Pula e nis mandatin me homazhe te Jasharët, Rugova e Demaçi: Kosova është ndërtuar mbi sakrificë e vizion

Shiroka-Pula e nis mandatin me homazhe te Jasharët, Rugova e Demaçi: Kosova është ndërtuar mbi sakrificë e vizion
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Tetor 2026, 12:47

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pas marrjes së detyrës  në vizitën e parë të saj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në një komunikatë për media thuhet se në Prekaz, Shiroka-Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.

Gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, bëhet e ditur se ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi ajo.

Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, ajo nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

 “Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

Siç thekson komunikata, Shiroka-Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika