Administrata e presidentit Donald Trump do të zgjerojë ndalimin e përdorimit të ndihmës së jashtme të SHBA-së për grupet që mbështesin shërbimet e abortit, si dhe për organizatat dhe agjencitë që promovojnë identitetin gjinor, diversitetin, barazinë dhe programet e përfshirjes (DEI). Masa e re pritet të ndikojë mbi më shumë se 30 miliardë dollarë ndihmë të huaj amerikane.
Një zyrtar i administratës, që foli në kushte anonimiteti, tha se Departamenti i Shtetit do të publikojë së shpejti rregullat përfundimtare që zgjerojnë fushëveprimin e të ashtuquajturës politikë e “Qytetit të Meksikos”. Këto rregulla do të hyjnë në Regjistrin Federal nesër dhe do të zbatohen si për organizatat ndërkombëtare, ashtu edhe për ato amerikane dhe vendase që operojnë jashtë SHBA-së.
Politika e Qytetit të Meksikos u prezantua për herë të parë gjatë presidencës së Ronald Reagan dhe është shfuqizuar tradicionalisht nga administratat demokrate, për t’u rivendosur nga ato republikane. Presidenti Trump e riktheu atë gjatë mandatit të tij të parë dhe tani po e zgjeron ndjeshëm për të garantuar që fondet e taksapaguesve amerikanë të mos përdoren për agjenda ideologjike jashtë vendit.
Mbështetësit e administratës Trump e shohin këtë vendim si një hap drejt rikthimit të përgjegjshmërisë dhe transparencës në ndihmën e huaj, duke siguruar që ajo të fokusohet në nevoja thelbësore humanitare dhe zhvillimore, pa imponuar ideologji kulturore ose politike.
Sipas Guardian, administrata Trump ka ndërmarrë tashmë hapa të tjerë të fortë për të ristrukturuar ndihmën e huaj, përfshirë shkurtimin e qindra milionë dollarëve dhe shpërbërjen e USAID-it, me synimin për ta bërë ndihmën amerikane më efikase dhe më të lidhur me interesat kombëtare të SHBA-së.
