Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri pret që që Gjykata Speciale do të prodhojë drejtësi sesa heronj të rinj. E për këtë deklaratë të Hazirit, i është përgjigjur nënkryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj.
Haziri, një javë më parë, në një intervistë për Gazetën Express tha se duhet të pritet rezultati final.
“Tani, 21 vjet pas luftës, a është vonë? Po. A është sosë durimi? Te shumica prej nesh po. Por duhet të besojmë dhe duhet ta presim rezultatin final. Duhet të besojmë më shumë që kjo gjykatë do të prodhojë drejtësi sesa heronj të rinj”, kishte thënë Haziri.
Ndërsa, Totaj në një përgjigje për Gazetën Express tha se heronjtë dhe drejtësia shkojnë bashkë.
“Gjykatën Speciale duhet shikuar si një mundësi që udhëheqësit e UÇK-së përfundimisht të shfajsohen nga akuzat e pabaza. Dhe unë fuqimisht besoj se ashtu do të ndodhë. Në parim mendoj se heronjtë dhe drejtësia zakonisht shkojnë bashk”, tha Totaj.
Madje Totaj tha se drejtësia do të duhej që ta konfirmonte heroizmin e udhëheqësve të UÇK-së.
“Kisha me thanë se ajo që unë pres është se drejtësia në këtë rast jo vetëm që do të duhej por edhe do ta konfirmonte heroizmin e udhëheqësve të UÇK-së”, shtoi ai.
Kujtojmë se më 5 nëntor janë konfirmuar aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët janë dërguar në Hagë.
Krerët e UÇK-së, bashkërisht akuzohen për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, arrestime të kundërligjshme, trajtim mizor dhe vrasje.
Sipas kësaj aktakuze pjesëtarë të UÇK-së, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme. /Express/