Në planin e zhvillimit ekonomik 2011-2014, zhvillimi i sektorit të bujqësisë ka qenë një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Por, ky plan, i cili synonte rritjen e prodhimtarisë, zvogëlimin e importit të produkteve bujqësore, si dhe rritje të punësimit, nuk u realizua.
Mosrealizimi i këtij synimi vihet në pah në Programin për Zhvillim Rural 2020 – 2021 të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, nga përfaqësues të Federatës Sindikale të Bujqve, të Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, si dhe nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Në Programin për Zhvillim Rural 2020 – 2021, analiza e aftësisë konkurruese e bujqësisë së Kosovës tregon që vetëm një pjesë shumë e vogël e fermave mund të konkurrojnë në tregun rajonal, të Bashkimit Evropian (BE) dhe atë ndërkombëtar.
Shkaktarët kryesorë të kësaj aftësie të ulët konkurruese, sipas këtij dokumenti, janë përmasat e vogla të shumicës së bizneseve bujqësore, objektet dhe pajisjet e vjetra, mungesa e mjeteve financiare për investime dhe niveli i ulët i njohurive lidhur me teknologjinë bashkëkohore të prodhimit.
Përveç kësaj, raporti thekson se shumica e fermave nuk i përmbushin standardet e BE-së për siguri dhe higjienë të ushqimit, për mirëqenie të kafshëve dhe mbrojtje të mjedisit.
Qysh në vitin 2010, fermerët kosovarë kanë shprehur paknaqësitë e tyre me politikat agrare qeveritare. Ata patën protestuar dhe patën kërkuar nga Qeveria të ndajë më shumë buxhet për sektorin e bujqësisë si dhe të subvencionohet çdo hektar toke e mbjellë me kultura bujqësore.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se sektori i bujqësisë doli nga lufta e vitit 1999 i shkatërruar. Por, siç shprehet ai, në shkatërrimin e sektorit të bujqësisë ndikoi edhe keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi që iu bë këtij sektori për vite me radhë.
“Nga paslufta e deri në vitin 2010, shumë pak i është kushtuar vëmendje sektorit të bujqësisë. Nuk ka pasur investime, nuk ka qenë fare prioritet. Por, edhe pas vitit 2011 kur u vendos në prioritetet e qeverisë, buxheti për bujqësinë ishte i vogël”, tha ai.
Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë ndër vite filloi të shënojë rritje.
Derisa në vitin 2011 buxheti i kësaj ministrie ishte rreth 14 milionë euro, në vitin 2020 ishte mbi 60 milionë euro. Filloi edhe subvencionimi i bujqve. Por, ato subvencione u keqmenaxhuan, thuhet edhe në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Tahiri thotë se sapo nisi riorganizimi i sektorit të bujqësisë, filloi korrupsioni. Buxheti, shton ai, ishte i vogël, mirëpo, sipas tij, nëse nuk do të keqpërdorej, do të ishte një gjendje më e mirë në bujqësi.
“Keqpërdorimi reflektohej në korrupsion. Shkurt dhe shqip, vidhej buxheti i shtetit nga zyrtarët e ministrisë në bashkëpunim me matrapazët dhe keqpërdoruesit bujq, te të cilët gjenin bashkëpunimin. Ky korrupsion e dëmtoi dhe i stopoi lëvizjet e pakta që ishin bërë në zhvillimin e disa sektorëve, si ai i qumështit, grurit, pemëve dhe perimeve, si dhe disa sektorëve tjerë”, thotë Tahiri.
Sektori i qumështit, i cili nisi të zhvillohej, u godit nga mospërkrahja e institucioneve të Kosovës dhe nga keqpërdorimet që bëheshin, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit.
“Ne edhe atëherë, por edhe tani, vazhdojmë të besojmë se problemi kryesor për moszhvillimin e industrisë së qumështit kanë qenë skemat korruptive. Është krijuar një lloj pasqyreje sikur sektori po ndihmohet, por në fakt, pjesa dërmuese e investimeve ka përfunduar në xhepat e zyrtarëve”, tha Mema.
Ai shton se në qoftë se do të arrihet ndalja e korrupsionit, sektori i bujqësisë do të zhvillohet.
Se Fondet e Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural po keqmenaxhoheshin, këtë e kishte thënë edhe Zyra Kombëtare e Auditorit, në auditimin e bërë për vitin 2019.
“Me rastin e testimeve tona në fushën e subvencioneve, kemi identifikuar menaxhim jo të mirë të paradhënieve për investimet në infrastrukturën rurale”, thuhej në këtë raport.
Raporti i auditorit kishte vënë në pah mosplotësimin e kritereve të kërkuara nga përfituesit e subvencioneve.
“Mosplotësimi i kritereve, të përcaktuara me udhëzim administrativ, nga ana e përfituesve të subvencioneve, rrit rrezikun që fondet të shpenzohen nga përfitues jomeritor dhe ato të mos shfrytëzohen në përputhje me qëllimin e synuar”, thuhet në raport.
Në atë kohë, auditori i kishte rekomanduar Ministrisë së Bujqësisë se duhet të kërkojë nga personat përgjegjës forcimin e mekanizmave për menaxhim dhe monitorim të shpenzimeve, për të cilat bëhej fjalë, në mënyrë që të krijohet siguria e arsyeshme që paratë e dhëna do të shfrytëzohen drejt dhe në pajtim me objektivat e subvencioneve.
Për keqpërdorim të subvencioneve, marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, Policia e Kosovës më 24 dhe 25 shkurt ka arrestuar 21 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë.
Gjatë bastisjes në shtëpitë e personave të arrestuar ishin sekuestruar rreth 400 mijë euro.
Për shkak të keqpërdorimeve, Federata Sindikale e Bujqve konsideron se sektori i bujqësisë mbeti aq shumë i pazhvilluar sa që Kosova nuk është në gjendje të prodhojë produkte bujqësore as për nevojat e tregut të brendshëm.
Synimi i Qeverisë në planin ekonomik 2011-2014 ishte që të ulej importi dhe të rritej eksporti. Por, sipas të dhënave të ASK-së, ky synim nuk u realizua.
Kontributi i eksporteve në volumin tregtar, sipas të dhënave të kësaj agjencie, në një vit e arrin vlerën e rreth 400 milionë eurove, kurse importi mbi tre miliardë euro.
Lëvizja Vetëvendosje e cila ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, në programin e saj ka paraparë të financojë bujqësinë për çdo vit deri në 100 milionë euro.
Në mënyrë që të sigurohet një treg vendor, që sipas LVV-së nuk e përbuz mundin e fermerëve, kjo parti do të sigurohet që të ketë çmime dysheme për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale.
Futja e çmimeve referente për një sërë produktesh bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin dhe qumështin, është paraparë po ashtu në planprogramin e LVV-së.