Sezoni i ri veror po ofron qindra vende të lira pune në jug të vendit. Janë me dhjetëra biznese që çdo ditë publikojnë njoftime për punësim kundrejt pagave nga 350 deri në 1 mijë euro.Në Sarandë, Ksamil, Himarë dhe zonën e Borshit kërkesa është kryesisht për kuzhinierë, punonjës hotelerie, ekonomistë, menaxherë etj.
“Dihet që sezoni turistik kërkon punëtorë dhe rrit punësimin. Ka qenë një kohë pandemie dhe punëtorët kanë qenë pothuajse gjysmë në gjumë ose gjysmë të papunë. Por unë mendoj se pasi nuk kanë pasur mundësi të punësohen jashtë, punëtorët janë këtu dhe mezi presin që sezoni të fillojë”, thotë Vladimir Musej, administrator restoranti.
Administratorët e hoteleve dhe restoranteve janë të shqetësuar, pasi nuk po gjejnë specialistë të fushës edhe kur ofrojnë pagesa të kënaqshme.
“Në Sarandë ka mungesë të theksuar personeli të specializuar për fusha të ndryshme të turizmit. Nga anët e tjera çdo gjë është gati si kurrë më parë. Jemi gati të presim turistë shumë më tepër se më parë, me gjithë vështirësitë që sapo përmenda dhe mungesë e theksuar e personelit”, shprehet Shkëlqim Beqo, biznesmen në hoteleri.





