Fluturimet u pezulluan dhe qytetarët u këshilluan të qëndronin brenda pasi një shtresë e dendur smogu mbuloi kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevën, të enjten, duke përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit dhe duke shkaktuar shqetësime shëndetësore për banorët.
Kompania zvicerane e teknologjisë së cilësisë së ajrit, IQAir, e cila monitoron cilësinë e ajrit në kohë reale, e renditi indekson e cilësisë së ajrit (AQI) në Sarajevë në nivelin “shumë të dëmshëm” 225, duke e pozicionuar qytetin si të tretin më të ndotur në botë për atë ditë.
“Ky është tmerr, po asfiksiohemi, veçanërisht ata që kanë probleme me zemrën,” tha pensionistja Hajra Subasic. “Nuk mund të frymoj, shihni sa e vështirë është të flas.”
Sarajeva dhe qytetet e tjera të mëdha të Ballkanit janë tradicionalisht shumë të ndotura gjatë muajve të dimrit, pasi vendet e rajonit varen nga qymyri dhe dru për ngrohje.
Ekspertët kanë paralajmëruar për pasojat shëndetësore, pasi ajri i ndotur është i lidhur me sëmundje të ndryshme dhe vdekje të parakohshme, raporton srnnews.
Sarajeva, e vendosur në një luginë dhe e rrethuar nga male, është veçanërisht e prirur ndaj ndotjes së ajrit. Planifikimi i dobët urban dhe përhapja e ndërtesave të larta kanë bërë që problemi të përkeqësohet vitet e fundit.
“Nuk po bën askush asgjë,” tha Subasic. “Nuk mund ta besoj që kjo po ndodh në kryeqytetin e Bosnjës dhe ata (autoritetet) nuk mund ta zgjidhin.”
Shtetet e Ballkanit kanë një rekord të dobët në mbrojtjen e mjedisit, pavarësisht premtimeve për përmirësimin e situatës ndërsa përpiqen të afrohen me Bashkimin Evropian. Lumenjtë e Ballkanit shpesh janë të bllokuar nga mbeturinat dhe riciklimi është pothuajse joekzistent.
Edhe në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, cilësia e ajrit u vlerësua si “e dëmshme” me indekson e ajrit të vendosur në 170.
Në Sarajevë, fluturimet u anuluan gjatë orëve të mëngjesit për shkak të mjegullës dhe shoferët u paralajmëruan të jenë të kujdesshëm për shkak të dukshmërisë së ulët. Shumë banorë mund të shiheshin me maska fytyre për mbrojtje minimale.
Një banore e Sarajevës, e cila dha vetëm emrin e saj, Nada, tha se përpiqet të shmangë ndotjen duke shkuar në malet rreth qytetit, ku ajri është i pastër dhe nga ku mund të shihet qyteti i mbuluar nga një re tymi poshtë.
“Nuk e di se sa do të zgjasë,” tha ajo. “Është edhe më keq nëpër apartamentet tona për shkak të ngrohjes dhe ajrit të thatë, dhe sepse nuk mund të hapim dritaret.”
Për situatën alarmante që ka përfshirë qytetin, banorët kërkojnë veprime urgjente nga autoritetet për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
/GazetaSinjali/