Të gjitha klubet dhe përfaqësueset e Rusisë në futboll janë suspenduar nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s deri në një vendim tjetër. Vendimi që pritet të jetë goditje e madhe për futbollin rus, është publikuar të hënën mbrëma. Vendimi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit dhe Konfederatës Evropiane erdhi pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandoi largimin e sportistëve të Rusisë dhe Bjellorusisë nga garat ndërkombëtare.
“Pas vendimeve fillestare të miratuara nga Këshilli i FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, të cilat parashikonin miratimin e masave shtesë, FIFA dhe UEFA të hënën kanë vendosur që të gjitha ekipet ruse, qofshin ato kombëtare apo klube, të pezullohen nga garat e FIFA dhe UEFA-s deri në një njoftim tjetër”, thuhet në komunikatën e përbashkët të FIFA-s dhe të UEFA-s.
Kjo nënkupton se Rusia do të largohet nga plejofi për kualifikim në Botërorin 2022. Më 24 mars, Rusia është dashur të takohet në gjysmëfinale të plejofit me Poloninë.





