Rusia ka nisur në orët e hershme të mëngjesit ofensivën ndaj Ukrainës. Në Donetzk janë dëgjuar shpërthime, ndërsa po ashtu shpërthime janë dëgjuar edhe në kryeqendër të Ukrainës, Kiev.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një adresim televiziv në orët e hershme të së enjtes ka njoftuar për operacion ushtarak në rajonin e Donbasit. Ai ka bërë adresimin në të njëjtën kohë kur po mbahej Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Putin u ka bërë thirrje ushtarëve ukrainas në Donbas që të dorëzohen, ndërsa ka thënë se për çdo gjakderdhje është faji i Ukrainës.
Putin ka thënë se drejtësia dhe e vërteta do të jenë në anën e Rusisë. Ndërsa ai ka paralajmërua nëse ndonjëri synon të përballet me Rusinë: “Reagimi do të jetë i menjëhershëm”.
Sipas gazetarëve të BBC-së raportohet për gjashtë shpërthime në Kiev.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar për Reuters se Ukraina është sulmuar me raketa. Ai ka shpallur ligjin ushtarak, dhe pritet Këshilli i Sigurisë në Ukrainë të mbajë mbledhje urgjente.
Ndërkohë Rusia ka thënë se po shënjestron infrastrukturën ushtarake të Ukrainës.
Por, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se Putin ka nisur pushtimin e shkallës së plotë. Është raportuar se trupat ruse po lëvizin nga Bjellorusia.
“Putini vetëm sa ka lansuar një pushtim të shkallës së plotë. Qytetet paqësore ukrainase po sulmohen. Kjo është luftë e agresionit. Ukraina do ta mbrojë veten dhe do të fitojë”, ka shkruar Kuleba në Twitter.
8:18 – Karvanet ushtarake ruse kalojnë kufirin
Ushtria ruse ka kaluar në Ukrainë në rajonet veriore të Chernihivit dhe Sumyt dhe rajonet lindore të Luhanskut dhe Krharkivit, kanë thënë shërbimet e rojës kufitar të Ukrainës.
Ky shërbim ka thënë se ofensivës ruse i parapriu zjarr artilerie.
Ka pasur lëndime në mesin e rojeve kufitare ukrainase, thotë DPSU.
Ai thotë se rojet kufitare të Ukrainës dhe forcat e armatosura “po marrin të gjitha masat për të ndaluar armikun”.
7:58 – Ukraina njofton se ka rrëzuar pesë aeroplanë rusë
Ushtria e Ukrainës ka njoftuar se ka rrëzuar pesë aeroplanë rusë dhe një helikopter.
“Mbani qetësinë dhe besoni në mbrojtësit e Ukrainës”, thuhet në një deklaratë të Ushtrisë së Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka mohuar se janë rrëzuar aeroplanë.