Një tjetër dështim i Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Moska nuk ia doli të vendosë në tryezë çështjen e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, as në përpjekjen e saj të dytë.
Pasi iu refuzua kërkesa gjatë seancës së të hënës, kur 12 anëtarë të Këshillit votuan kundër, të njëjtin fat pati edhe përpjekja për një debat të enjten. Këtë herë ishin 9 vende anëtare që nuk e mbeshtetën iniciativën. Ambasadori francez Nicolas de Riviere argumentoi se Këshilli i Sigurimit debaton mbi krizat aktuale, por nuk është forum për debate historike.
Përfaqësuesi i Rusisë deklaroi se Franca, SHBA dhe Britania e Madhe nuk duan të diskutojnë agresionin ndaj ish-Jugosllavisë, dhe përsëriti se situata në Kosovë po përkeqësohet. Ai kundërshtoi ndërkaq rekomandimin e një dite më parë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Shpagimin e saj, Moska e mori pak më vonë, kur vendosi veton ndaj një rezolutë të OKB, që praktikisht shfuqizon një mekanizëm mbikëqyrës të ekspertëve të organizatës, për zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, për programin bërthamor.





