Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti dhe kjo organizatë para disa ditësh janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.
Në këtë qendër për më shumë se dy dekada janë trajtuar shumë gra e burra të dhunuar seksualisht gjatë luftës së viteve 1998-1999. Të mërkurën, Rushiti në një diskutim publik ka rrëfyer për rrugëtimin e saj dhe betejën për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Për herë të parë vajza e gra të dhunuara seksualisht, ajo kishte takuar në mars të vitit 1998 në Kukës. Ajo po shërbente atje si mjeke për kosovarë të shpërngulur me dhunë nga forcat serbe.
Mes emocioneve rrëfen bisedën e parë me një grua e cila u dhunua në prezencë të burrit dhe fëmijëve.
“Më kujtohet takimi i parë kur më kanë ftuar si grua edhe si mjeke për ta vizituar një grua në kampin italian. Pranë asaj tende qëndronin me dhjetëra gazetarë ndërkombëtarë. Kur hyj në atë tendë e gjej një grua me dy fëmijët të cilët i shtrëngonte fortë në prehrin e saj dhe vazhdonte vazhdimisht me një retorikë pa emocione, kishte një topitje fiziologjike dhe thoshte që ‘fëmijën e kam lënë të vdekur, ma kanë hangër qentë, nuk kam mundur me varros, çka ka ndodhur me të’. I bënte këto pyetje dhe unë vetë e gjeja vetën të sfiduar dhe nuk dija si të vazhdoj me të…M’u kujtua ta pyes se çfarë ka ndodhur me bashkëshortin e saj sepse qëndronte e vetme në atë tendë duke shtrënguar fëmijët. Dhe kur e pyes se ‘çfarë ka ndodhur me burrin, ku është burri yt’, tha ‘oh moj motër, burrin ma kanë marrë se momentin kur kanë dashur të më dhunojnë mua, ai ka reaguar dhe nuk di për fatin e tij’. Ai moment ka qenë shumë i sikletshëm për mua personalisht edhe kam filluar të qajë”, rrëfeu Rushiti.
Në takimet me dhjetëra gra e burra të dhunuar seksualisht, Rushiti tregoi se të mbijetuarit nuk tregonin për tmerrin e përjetuar por për nevojat e tyre urgjente të asaj kohe.
Edhe pas çlirimit të vendit, drejtoresha e QKRMT-së tregoi se viktimat e dhunës seksuale u ballafaquan me sfida, stigmatizim e mungesë të drejtësisë.
E nominuara për Çmimin Nobel për Paqe deklaroi se kjo temë nuk ka pasur hapësirë e diskurs shoqëror dikur nga parlamentarët. Ajo përmendi seancat parlamentare të vitit 2013 e 2014 kur kundërshtohej futja e viktimave të dhunës seksuale në kuadër të Ligjit për Vlerat e Luftës.
“Për dhunën seksuale nuk ka pasur diskurs shoqëror, nuk ka pasur hapësirë për tu folur. Anëtarët e parlamentit kanë qenë pjesë e kësaj shoqërie stigmatizuese dhe paragjykuese. Edhe është dashur gjatë të punohet me ta….(30:20) Ka qenë e dhimbshme gjuha diskredituese, një gjuhë e urrejtjes, një gjuhë e pabesisë për mënyrën se si është plasuar kjo plagë që reflektonte komplet masën shoqërore se si mendojnë dhe reflektojnë. Pastaj ato verifikimet përmes gjinekologut pa e menduar fare që edhe burrat kanë qenë pjesë e dhunimit, pastaj numrin e diskutonin e kështu me radhë por gjithë ky lloj diskursi që mbizotëroi na ka shërbyer për mobizilim edhe të punojmë edhe më fuqishëm”, deklaroi Rushiti.
Në vitin 2018, për herë të parë publikisht rrëfeu tmerrin e përjetuar Vasfije Krasniqi.
Guximi i saj për t’i treguar botës atë çfarë i ndodhi në moshën 16-vjeçare, Rushiti tha se ka qenë thyerje e petkut të turpit që ka mbizotëruar në shoqëri.
“Guximi i Vasfijes për ta ndarë rrëfimin në detaje përtej që i ka prekur shpirtrat e secilës të mbijetuare që ka qenë prezente edhe atë që e kanë parë përmes mediumit, mendoj që krejt shoqërinë kosovare e kanë çuar nga letargjia e fjetur, nga këto etiketimet, llojet e stigmatizimeve që ia bënin të mbijetuarave… Ishim në një takim në Shqipëri edhe në rrugëtim e sipër në kufi njëri nga policët aty më thotë ‘më fal a e keni Vasfije Krasniqin’ edhe e ndalë pasaportën e saj, thotë ‘a e keni me vete’, i themi ‘po’. Na thotë ‘a mundeni me nxjerr jashtë’ dhe u trishtuam çfarë po i ndodhë sepse ishte periudha kur ajo ishte në kulminacionin e saj ku gjithsecili kishte dëshirë ta përqafonte. Ai kishte qenë një djalë i një dëshmori dhe kur doli Vasfija jashtë tha ‘më fal motër a mund të përqafoj se baba më ka vdekur për liri edhe kur rrëfimi yt ka dalë në publik ma ke ngrit të gjallë babën dhe kam bashkëndjerë me ty”, shtoi Rushiti para pjesëmarrësve.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti ka folur edhe për rëndësinë e sigurimeve shëndetësore për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe domosdoshmërinë që zëri i tyre të dëgjohet në nivel institucional.
Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000. Historitë e tyre nuk dihen sepse të mbijetuarit ende i druhen stigmës e paragjykimit, dhe heshtin.
Në Kosovë, që prej vitit 2014 ekziston një ligj për njohjen e statusit të tyre por deri tani vetëm rreth 2.000 e kanë marrë atë. Afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale është deri më 15 maj 2025.
Për dhunim seksual nga gjykatat vendore është dënuar vetëm Zoran Vukotiq, me vendim të formës së prerë. /KP/