LAJME

Rritja e pensioneve në buxhetin e 2027-s kërkohet edhe nga brenda koalicionit qeverisës

Rritja e pensioneve në buxhetin e 2027-s kërkohet edhe nga brenda koalicionit qeverisës
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Nëntor 2026, 13:36

Presion ndaj Qeverisë për përfshirjen e rritjes së pensioneve në buxhetin për vitin e ardhshëm ka paralajmëruar deputetja e koalicionit qeverisës, Emilija Rexhepi. 

Ajo ka thënë se rritja e pensioneve nuk është vetëm çështje sociale, por edhe çështje drejtësie dhe përgjegjësie e shtetit ndaj njerëzve që kanë punuar dhe kanë kontribuar për dekada të tëra në zhvillimin e tij 

“Si nënkryetare e Kuvendit dhe pjesë e koalicionit qeverisës, do të jem gjithmonë në anën e pensionistëve tanë. Do të vazhdoj të insistoj dhe të ushtroj presion të vazhdueshëm ndaj Qeverisë që çështja e rritjes së pensioneve të përfshihet ndër prioritetet buxhetore”, ka thënë Rexhepi në një përgjigje për KOHËN. 

Porjektbuxheti i propozuar nga Qeveri u votua në parim gjatë seancës të së enjtes, me 61 vota për. Tash do të shqyrtohet nga komisionet parlamentare ku do të mund të propozohen edhe amandamentime në buxhet. 

Rexhepi thotë se përfshirja e rritjes së pensioneve në buxhetin e vitit të ardhshëm është e domosdoshme. 

“Absolutisht konsideroj se rritja e pensioneve, veçanërisht e atyre që llogariten në bazë të viteve të përvojës së punës dhe kontributeve të paguara, është e domosdoshme. Qeveria ka për obligim që ta trajtojë me prioritet zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar, sepse pensionistët tanë meritojnë një jetë dinjitoze dhe kompensim të drejtë për dekadat e punës dhe kontributit të tyre në shoqëri”, ka theksuar Rexhepi.

Propozim për rritje të pensioneve ka paralajmëruar edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu. 

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin tetor, pensionin bazik të moshës prej 150 eurosh e marrin 174 mijë e 399 persona, ndërsa pensione kontributpaguese të moshës marrin 47 mijë e 654 përfitues (me vlera nga 218 deri në 318 euro, sipas kategorive) dhe pensione parciale kontributpaguese 11 mijë e 579 persona./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika