LAJME

Lushaku-Sadriu me tri kërkesa për Marta Kos-in, përfshirë kërkimfaljen e BE-së për këngën nacionaliste serbe

Lushaku-Sadriu me tri kërkesa për Marta Kos-in, përfshirë kërkimfaljen e BE-së për këngën nacionaliste serbe
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Nëntor 2026, 13:34

Jehona Lushtaku-Sadriu ka folur për takimin me shefin e zyrës së BE-së që u mbajt në Komisionin parlamentar për Integrim Evropian më 23.11.2026.

Ajo bëri të ditur se ka bërë kërkesë në adresë të institucioneve të BE-së lidhur me mospjesëmarrjen e institucioneve të Kosovës në Forumin për Zgjerim. Dhe jo vetëm për këtë.

“Edhe për mospjesëmarrje edhe sa i përket këngës me motive nacionaliste e që është komplet në kundërshtim me qëndrimet dhe synimin e BE-së”- ka deklaruar ajo.

Sqarim me shkrim sa i përket këtyre çështjeve, Lushaku-Sadriu tha se duhet të dërgohet nga nivelet më të larta politike.

Lushaku ka thënë se tri kërkesa i janë drejtuar Komisioneres për Zgjerim Marta Kos lidhur me këto çështje.

Sipas saj, qytetarët më proevropian (kosovarët) nuk e meritojnë këtë zhgënjim.

“Tash e tutje duhet që sqarimet dhe raportet tona të jenë edhe me shkrim dhe Kosova të trajtohet dinjitetshëm nga institucionet e BE-së”- tha ajo.

Kryesuesja e Komisionit për Integrim Evropian, pra Jehona Lushaku-Sadriu, i ka kërkuar ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, që Zyra e BE-së të kërkojë falje për incidentin e ndodhur gjatë koncertit në hapje të Forumit të Zgjerimit në Bruksel.

Këtë kërkesë Lushaku-Sadriu e bëri gjatë takimit të Komisionit për Integrim Evropian me ambasadorin Schuebel, të hënën më 23.11.2026, ku shprehu pakënaqësinë edhe për faktin se krerët institucionalë të Kosovës nuk ishin ftuar në këtë forum.

“Jam e habitur nga një incident që ka ndodhur javën e kaluar në Bruksel, në Forumin për Zgjerim. Kosova është një vend shumë pro-evropian. Përveç incidentit, nuk ka pasur ftesë për krerët institucionalë të Kosovës në këtë forum. Ne po presim një kërkim falje nga ju. Unë, si kryesuese, kam dërguar letër te Marta Kos dhe përfaqësuesit e tjerë të BE-së”- tha Lushaku-Sadriu.

Koncerti i organizuar në mbrëmjen e 15 nëntorit, në kuadër të hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, është shndërruar në një incident diplomatik mes Kosovës dhe BE-së.

Gjatë programit muzikor u interpretua melodia e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Koncerti, i titulluar “Melodies of Unity: Harmony from the Crossroads of Europe”, kishte për qëllim prezantimin e traditave muzikore të vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, Komisioni Evropian nuk ka dhënë sqarime pse Kosova nuk është ftuar në nivel institucional në Forumin për Zgjerim në Bruksel, ndonëse pesë vende kandidate kanë pasur përfaqësues të qeverive të tyre.

Në një përgjigje për Kallxo.com, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka konfirmuar se në forum kanë marrë pjesë pjesëmarrës nga të gjitha vendet kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, sa i përket Kosovës, zëdhënësi ka përmendur vetëm pjesëmarrjen e përfaqësueses së shoqërisë civile, Donika Emini, nga organizata D-Square, e cila ka qenë pjesë e një paneli për pajtimin.

“Pjesëmarrës nga të gjitha vendet kandidate dhe potencialisht kandidate morën pjesë aktivisht në Forum. Është e vërtetë se pesë nga vendet tona kandidate kanë përfaqësues të qeverive të tyre në këtë forum”- thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Komisionit Evropian.

Në mesin e pjesëmarrësve në këtë ngjarje ishin presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, kryeministri i Ukrainës, Serhii Koretskyi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Drejtoresha ekzekutive e D-Square, Donika Emini, gjatë fjalimit të saj në një panel të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, ka theksuar se ishte ftuar në këtë aktivitet në cilësinë e përfaqësueses së shoqërisë civile dhe jo si përfaqësuese e institucioneve të Kosovës, duke vënë në pah mungesën e përfaqësuesve shtetërorë të vendit në forum.

Megjithatë, për Kosovën ishte zgjedhur pikërisht melodia e kësaj kënge serbe, e krijuar më 1989, në kohën e ngritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Slobodan Millosheviqit. Kënga lidhet me narrativën nacionaliste serbe për Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë. Në koncert ajo u interpretua në formë instrumentale, pa tekst, por titulli u shfaq në ekran.

Përzgjedhja nxiti reagime të zyrtarëve të Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, e cilësoi të papranueshme përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, duke kërkuar sqarime se kush e kishte përzgjedhur dhe miratuar repertorin.

Edhe kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, e quajti incidentin skandaloz dhe të papranueshëm.

Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për zgjedhjen e këngës, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson qëndrimin e Komisionit Evropian apo qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe historisë së saj.

Komisioni Evropian, në një përgjigje me shkrim për Kallxo.com ka thënë se ashtu siç edhe ka thënë Komisionerja për zgjerim, Marta Kos, kënga është përzgjedhur nga bendi dhe nuk ishte dakordësuar me Komisionin.

“Na vjen keq për këtë zgjedhje të bendit”- ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika