Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka vendosur të kufizojë fluturimet me Afrikën Jugore dhe shtatë vendeve të tjera, për shkak të rrezikut nga përhapja e variantit të ri të koronavirusit, i cili është diktuar në Afrikën Jugore.
“OBSH ka identifikuar një variant të ri COVID i cili po përhapet në Afrikën Jugore. Si masë paraprake derisa të kemi më shumë informacion, po urdhëroj kufizime të udhëtimit ajror nga Afrika e Jugut dhe shtatë vende të tjera”, ka shkruar Biden në një postim në Twitter.
Tutje Biden sërish bëri thirrje për t’u vaksinuar si dhe për të marrë dozën përforcuese.
“Ndërsa ecim përpara, ne do të vazhdojmë të udhëhiqemi nga ajo që këshillon shkenca dhe ekipi im mjekësor. Tani për tani, mënyra më e mirë për të forcuar mbrojtjen tuaj nëse jeni tashmë të vaksinuar është të merrni një vaksinë përforcuese, menjëherë. Për ata që ende nuk janë vaksinuar plotësisht: vaksinohuni sot”.
Biden theksoi se SHBA-të janë liderë në shpërndarjen e vaksinave për shtetet e tjera, duke u bërë thirrje edhe vendeve të tjera ta ndjekin shembullin.
“Për komunitetin botëror: ky lajm është një kujtesë se kjo pandemi nuk do të përfundojë derisa të kemi vaksinime globale. Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar tashmë më shumë vaksina në vendet e tjera se çdo vend tjetër së bashku. Është koha që vendet e tjera të përputhen me shpejtësinë dhe bujarinë tonë”, u shpreh presidenti, transmeton Klankosova.tv.
Kufizime me shtetet e Afrikës së Jugut kanë bërë edhe shumica e vendeve evropiane.