Drejtori i Bujqësisë në komunën e Prizrenit, Agron Limani, ka kujtuar vëllaun e tij në dy mujorin e vdekjes.Dritani, vëllau i Agronit, dy muaj më parë pësoi sulm në zemër, e që doli të ishte fatal për të.
Agron Limani, përmes një postim inë rrjetin social “Facebook”, ka shkruar sesi tashmë i ndjeri, Dritani, i kishte shpëtuar luftës, me shumë fat në një kolonë në aksin rrugor Krushë e Vogël – Piranë, ku kishte marrë rrugë për në Shqipëri.
Por, 22 vite pas lirisë, ai humbi jetën duke u kontrolluar tri herë te mjeku dhe duke marrë përgjigjen: “Mirë je, nuk ke asgjë”. Vëllau i tij, tutje ndër të tjera në shkrim ka kërkuar që institucionet të cilat merren me përcaktimin e politikave shëndetësore, urgjentisht të ndalin praktikën e deritanishme.Më poshtë edhe reagimi i plotë.Sot dy muaj pa Dritanin
Pasi muaj më parë u informuam se forcat serbe, të prirura nga serbët e fshatit Krushë e Vogël, në mesin e 112 civilëve shqiptarë të vrarë, kishin vrarë edhe katër anëtarët e familjes sonë, dhe pasi luftës nuk po i dukej fundi, në maj të vitit 1999, vëllait tim Dritanit i propozova që ai të largohej për Shqipëri. Ishte një propozim mjaft i frikshëm për mua. Shkuarja e tij në Shqipëri, do të ishte një mundësi se megjithatë dikush do të mbijetonte nga familja jonë, por rrugëtimi i tij për Shqipëri mund të ishte mjaft i rrezikshëm për jetën e tij.
Përfundimisht Dritani vendosi që me ndihmën e familjarëve të hallës nga fshati Xërxë, të fshihej në mesin e të tjerëve dhe të nisej për Shqipëri. Pavarësisht maskimit të tij, udhëtimi i tij përpak sa nuk kishte përfunduar me fatalitet për të. Duke kaluar me kolonën e njerëzve pranë fshatit Krushë e Vogël, dy serb dhe një rom nga ky fshat, kishin dyshuar për praninë e tij në kolonë.
Të tre kishin dalur në fillim kolonës në Piranë, Landovicë, Prizren dhe Zhur për të vërtetuar dyshimin e tyre, por pasi në Zhur fillonin piramidat e betonit, ata ishin kthyer pa e identifikuar Dritanin. Edhe pse ishte luftë, fati deshi dhe Dritani shpëtoi.
22 vite më vonë, Dritani nën dyshimin se nuk ndihej mirë, pasi kishte dhimbje në gjoks, brenda një jave tri herë vizitohet te mjeku. Vizitën e fundit e bëri më 9 maj, në ora 20, dhe mjeku për të tretën herë brenda një jave i thotë se je mirë. Të nesërmën më 10 maj, rreth orës 5 të mëngjesit Dritani pëson infarkt dhe ndrron jetë. Pas tri vizitave dhe mosndryshimit të gjendjes, në vend që ti rekomandohet vizitë te ndonjë mjek/specialist tjetër, të ndjerit i thuhej se je mirë.
Shoqëria jonë, padyshim që ka krizë politike dhe ekonomike, por krahasuar me krizën morale, ajo është skajshmërisht e papërfillshme. Kjo krizë, pos tjerash, ka bërë që njeriu për njeriun të ketë pak vlerë, njeriu të mos trajtohet si pacient por si klient nga i cili mund të përfitosh.
Ka vite/dekada që një numër mjekësh, klinikat publike janë duke i përdorur në masë të madhe, si mundësi caktimi terminesh për ordinancat e tyre private.
Institucionet të cilat merren me përcaktimin e politikave shëndetësore, urgjentisht duhet të ndalin një praktikë të tillë. Duhet të ndalin lojën me jetë njeriu.
Dritani ndrroi jetë sepse ishte viktima e radhës e një mentaliteti të tillë, mentalitet i cili nënkupton se të sëmurin, pavarësisht a mund ta trajtosh me sukses dhe pavarësisht gjendjes së tij, duhet mbajtur sa më gjatë të jetë e mundur, sepse sa më gjatë të mbahet klienti, më shumë do të përfitosh nga ai!