Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka përgëzuar Policinë e Kosovës dhe të Gjermanisë për suksesin e përbashkët në operacionin e kësaj jave kundër krimit të organizuar, më saktësisht kundër mashtrimit të bizneseve “Call Center” në vendin tonë.
Ambasadori, përmes një postimi në platformën “X” shprehi falënderim për oficerët policorë që morën pjesë në këtë aksion.
“Këtë javë Policia e Gjermanisë dhe ajo e Kosovës kryen me sukses një operacion të përbashkët kundër mashtrimit me Call Center në Kosovë. Ky operacion nënvizon bashkëpunimin e shkëlqyer të autoriteteve tona në luftën kundër krimit të organizuar. Faleminderit të gjithë oficerëve të përfshirë për punën e shkëlqyer ekipore!”, ka shkruar ambasadori Rohde, transmeton Telegrafi.
This week 🇩🇪 and 🇽🇰 police successfully performed a joint operation against call-center fraud in Kosovo. This operation underscores the excellent cooperation of our authorities in the fight against organized crime. Thanks to all officers involved the excellent teamwork!
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) November 29, 2024
Sipas Policisë së Kosovës në aksionin e 27 nëntorit u arrestuan 20 persona e u konfiskuan 120 mijë euro.
Policia e Kosovës dhe ajo gjermane kontrolluan gjithsej 14 lokacione në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë.