Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Joern Rohde, ka thënë se një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Në në një ligjëratë në Universitetin e Mitrovicës ‘Isa Boletini’, Rohde ka thënë se Gjermania nuk kërkon asnjëherë përmbushje të obligimeve që janë në kundërshtim me Kosovën dhe kushtetutën e saj.
“Një nga obligimet e Kosovës në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është krijimi i Asociacionit. Gjermania asnjëherë nuk do të mbështeste diçka që është kundër interesave të Kosovës dhe kundër kushtetutës së Kosovës. Mirëpo, tani është koha e përmbushjes së obligimeve. Sepse vetëm atëherë kur të arrihet normalizimi, mund të shohim sukses për Kosovën në proceset integruese në Evropë”, ka thënë dje ai.
Më tej ambasadori gjerman ka folur edhe për lidhshmërinë që kosovarët kanë me Gjermaninë dhe afrimin e lëvizjes së lirë për ta.
“Të gjithë kosovarët kanë së paku nga një familjar në Gjermani. Dua të nënvizoj që ishte e padrejtë që Kosova të ketë regjim të vizave. Mirëpo, nga një janari kosovarët nuk kanë pse të pyesin dhe pse të presin për viza. Madje, Kushdo që i pëlqen futbolli, jeni të mirëpritur në Gjermani, pasi vitin e ardhshëm do të mbahet Evropiani tek ne”, ka thënë Rohde.
Përveç kësaj, ai theksoi rëndësinë që Kosova së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
“Ka një luftë në Evropë, e shumë tensione që vijnë si shkak i politikave të Putinit, çka sjell regres në kontinent. Për Gjermaninë është shumë me rëndësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së. Nuk është se vetëm duam të bëjmë mirë në Ballkan, por janë edhe interesat tonë të përgjithshme”, është shprehur ambasadori gjerman.
Rohde po ashtu ka thënë se gjithmonë janë në mbështetje të projekteve që vijnë në kuadër të përmirësimit të gjendjes në Kosovë.