Për 18 muaj, duke nisur nga vjeshta e sivjetme, rruga “Marin Barleti” dhe kinemaja “Lumbardhi” në Prizren do t’i nënshtrohen projektit me të cilin këto dy asete do të rivitalizohen. Është paraparë të investohen dy milionë euro dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tashmë ka nisur procedurat. Akterë të trashëgimisë kulturore kanë thënë se “Marin Barleti” e “Lumbardhi” kanë potencial për turizëm kulturor dhe një projekt si ky ua hap dyert për këtë
Punimet për rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti” si dhe kinemasë “Lumbradhi” në Prizren po planifikohet që të fillojnë në vjeshtën e këtij viti. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka iniciuar procedurat e prokurimit për këto projekte, ndërkohë që edhe institucionet vendore kanë marrë përsipër obligime të caktuara për funksionalizimin më të mirë të këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër.
Enisa Rashlanin-Kasemi, zyrtare për informim dhe komunikim në Zyrën e BE-së në Kosovë, ka thënë se Bashkimi Evropian përmes fondeve të IPA 2020 ka ndarë dy milionë euro për këto dy projekte.
“Presim që në fund të verës të përmbyllet me sukses procedura e tenderit të punimeve dhe të fillojë ndërtimi në vjeshtë, me afat zbatimi prej 18 muajsh”, ka thënë Rashlanin-Kasemi.
Ajo ka sqaruar se kinemaja “Lumbardhi” është një projekt i konservimit dhe përshtatjes së plotë të godinës historike të mbrojtur me qëllim të përmirësimit të komoditetit dhe funksionalitetit të saj në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të konservimit dhe restaurimit. Ndërsa për rrugën “Marin Barleti” ka shtuar se po punohet ngushtë me Ministrinë e Kulturës, gjegjësisht Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Komunën e Prizrenit, ku ndërhyrja e BE-së do të jetë te rregullimi i rrugës, disa përmirësime të fasadave, pajisjet urbane dhe ndriçimi i rrugës, teksa Ministria është duke i restauruar një sërë shtëpish, ndërkohë që Komuna do të përmirësojë infrastrukturën nëntokësore.
Jona Hoxhaj, zëdhënëse e Komunës së Prizrenit, ka pohuar se që të dyja projektet janë të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të qytetit, për më shumë që ndodhen në qendrën historike të mbrojtur me ligj. Sipas saj, te rruga “Marin Barleti” Komuna ka obligime për intervenimet në infrastrukturën nëntokësore, derisa te kinemaja “Lumbardhi” ka angazhime për gjetjen e një zgjidhjeje për mobilitetin afër këtij objekti.
“Kinemaja ‘Lumbardhi’ është një projekt i jashtëzakonshëm, i cili do të ketë shumë ndryshime, i cili do të realizohet duke ruajtur trashëgiminë kulturore, por do të bëhen shumë zhvillime në atë objekt, i cili do të jetë shumë më funksional se që është tani dhe patjetër se do t’i ndihmojë edhe jetës kulturore përveçse turizmit, duke qenë një objekt në qendër të qytetit që shfrytëzohet nga organizatat kulturore”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas saj, vlerat e dikurshme do të kthehen edhe në rrugën “Marin Barleti” që për një kohë të gjatë është ballafaquar me degradim.
“Kurse rruga ‘Marin Barleti’, duke e ditur që aty ka shtëpi të vjetra të cilat do të rivitalizohen, rruga e cila do të rregullohet dhe aty do t’i shtohet jeta, ndriçimi, bukuria e asaj pjese, kështu që patjetër që turizmi i cili zhvillohet në Shadërvan do të mund të marrë një vrull më të madh duke pasur edhe një rrugë tjetër, e cila do të ruajë trashëgiminë kulturore”, ka thënë Hoxhaj.
Për aktivistët e shoqërisë civile jetësimi i këtyre dy projekteve është i rëndësishëm për turizmin kulturor në qytetin e vjetër.
Veron Tara, kryesues i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike, ka pohuar se dy asetet janë të rëndësishme, jo aq në aspektin arkitekturor sa në aspektin social e ekonomik.
“Në rrugën ‘Marin Barleti’ do të bëhen ndryshime, të cilat do ta shtojnë zhvillimin ekonomik të Prizrenit, ku ka me qenë një lagje karakteristike e ‘Shadërvanit’, pasi që ndërtimi është me një stil tjetër me atë të Perandorisë Osmane apo asaj orientale. Kurse nëse flasim për kino ‘Lumbardhin’, është njëra prej kinemave të para në Prizren, ku aspekti social ka qenë më i ngritur pasi që është bërë tubimi i njerëzve, është kinemaja e parë që e ka ambientin e jashtëm, po ashtu që tani është shndërruar edhe në organizatë dhe po mbahet gjallë si objekt”, ka thënë Tara.
Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi” ka theksuar se kino “Lumbardhi” për një kohë të gjatë nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e aktiviteteve gjatë tërë vitit. Sipas tij, objekti nuk ka pasur mirëmbajtje dhe restaurim përmbajtjesor pothuajse fare në historinë e vet, përpos ndërhyrjeve riparuese dhe emergjente.
“Kështu që ky nën një do të jetë një investim substancial për me e ruajtë objektin, me e siguru jetëgjatësinë e objektit, si dhe me i plotësu nevojat për programe multidisiplinare që mund të zhvillohen gjatë gjithë vitit. Ndërkohë është edhe mundësi për t’i ruajtur vlerat e trashëgimisë materiale të kino ‘Lumbardhit’”, ka thënë Shporta.
Rruga “Marin Barleti” gjendet në kuadër të kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mahallës, që është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, si dhe është pjesë integrale e zonës historike. Kjo rrugë, sipas një raporti të QRTK-së të vitit 2019, përmban vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ku trashëgimia arkitektonike është e ndërlidhur me ambientin rrethues.
Kurse Kino “Lumbardhi”, i themeluar në mes të shekullit XX, është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për afër 70 vjet ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, festivaleve dhe e aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit.