Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kryeson në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12.10.2025 në Komunën e Suharekës, duke marrë 45.70% të votave, përkatësisht 11,929 vota, por asnjë kandidat nuk ka siguruar mbi 50% të nevojshme, duke bërë që zgjedhja e kryetarit të shkojë në balotazh – sipas rezultateve preliminare.
Në vendin e dytë është renditur Ardian Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 31.65% të votave, apo 8,261 vota. Pra, në garë në balotazh, pritet të jenë këta dy kandidatë.
Hamdi Bytyçi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 13.53 % ose 3,531 vota. Dardan Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përfunduar i katërti me 9.11 % të votave, konkretisht 2,379 vota.
Sipas të dhënave të KQZ-së në Suharekë janë regjistruar 69,770 votues, ndërsa kanë votuar 26,100 qytetarë. Janë numëruar 87 nga 87 vendvotime, që përfaqëson 100 % të tyre, ndërsa pjesëmarrja ka qenë 37.41 %.
Në garën për Kuvendin Komunal të Suharekës, AAK kryeson me 34.94 % të votave (8,491 vota), e ndjekur nga LDK me 29.90 % (7,267 vota). Pastaj është PDK me17.80 % (4,325 vota) dhe Vetëvendosje me 14.02 % (3,407 vota).
NISMA Socialdemokrate ka marrë 2.16 % të votave (525 vota), ndërsa GUXO 1.19 % (289 vota). Pjesëmarrja në votime për Kuvendin Komunal ka qenë 34.83 %, me 24,304 qytetarë që kanë votuar nga 69,770 të regjistruar.
Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimin përmes postës.