Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër (18 dhe 19 nëntor) si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës.
“Duke u bazuar në të dhënat, modelet dhe vrojtimet e kushteve të përgjithshme hidrometeorologjike në vend dhe rajon, parashihet që gjatë datave 18–19/11/2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete”, ka paralajmëruar të hënën IHMK-ja.
Sipas paralajmërimit zonat më të rrezikuara janë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe rrjedha të tjera me karakter malor.





