Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Pres të jetë një takim i mirë”, tha Rashiq për REL-in.
Ai u emërua në pozitën e ministrit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhjetorin e kaluar, kur Goran Rakiq, nga radhët e Listës Serbe, dha dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.
Rashiq tha se qëndrim i tij është se marrëveshjet nuk mund të injorohen. Në këtë kontekst, shtoi ai, duhet të analizohen edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, për harmonizimin e Asociacionit me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Për krijimin e këtij asociacioni është rënë dakord në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet në Bruksel.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, më 31 janar do të organizojë një diskutim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në këtë diskutim, ambasada e SHBA-së do të sjellë bashkëgrupe të ndryshme të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë, siç thuhet, për të diskutuar për këtë temë të rëndësishme.
Ftesa e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, iu është përcjellë disa politikanëve.
“Më 31 janar, Ambasada e SHBA-së do të organizojë një diskutim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ju ftoj përzemërsisht ju apo një përfaqësues që e caktoni ju t’i bashkohet diskutimit, të cilin do ta udhëheq unë”, thuhet në një ftesë.
Diskutimi do të mbahet të martën e javës së ardhshme, nga ora 10:00 deri në ora 12:00 në Ambasadën e SHBA-së.